Kujtimet e një gazetareje dhe ligjërimet e një dramaturgu

Diaspora

Kujtimet e një gazetareje dhe ligjërimet e një dramaturgu

Nga: Qerim Kryeziu Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 23:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

Dje u mbajt në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi aktiviteti i parë kulturor për muajin nëntor, aktivitet që ndërlidhej me kremtimet për ditën e pavarësisë e festën e flamurit kombëtar. Dramaturgu Haqif Mulliqi e gazetarja Shpresa Mulliqi qenë të ftuar së pari në Danimarkë në manifestimin tashmë tradicional “Ditët e Kulturës Shqiptare në Danimarkë” e pastaj erdhën edhe në Suedi. Në Qendrën tonë Kulturore u priten nga bashkatdhetarë të shumtë.

Gazetaria në kohë lufte dhe kujtimi në kohë paqeje

Bashkëbisedimi kulturor zgjati tri orë dhe shtjellohej si retrospektivë kujtimesh për kohën e luftës në Kosovë, si retrospektivë gazetareske eShpresa Mulliqit mbi gjithë ato takime me ushtarë shqiptarë, popull e familjen Jashari në Prekaz në prag të betejës së madhe. Kujtimet rrëfeheshin me emocion, me detaje e me shkathtësi tregimtare sikur të ishin të shkruara enkas për këtë ditë. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kujdesi i gazetares Mulliqi për mënyrën se si i kishte ruajtur ato kujtime, për mënyrën se si i rrëfente. Rrëfime me stil, me peshë emocionale që një herëderdhnin dhembje e herën tjetër shpërthenin krenari. Duke dëgjuar evokimet e saj plot ndjenjë, ne arrinim të projektonim imazhet tona për luftën që e bëmë njëzet vite më parë. Luftë me plot sakrifica që sa herë kujtohet nderohet e kaluara dhe qartësohet e ardhmja jonë e përbashkët. Një pjesë e diskursit të zonjës Mulliqi lidhej edhe me angazhimin e saj profesional në fushën e shkencave të komunikimit. Të dhënat që paraqiti me projektor, lidheshin me format elektronike të komunikimit të shoqërisë shqiptare sot.

Përmbajtjet mitologjike në ligjërimin e një dramaturgu

HaqifMulliqisot është një nga dramaturgët më të botuar dhe më të inskenuar në dramaturgjinë shqiptare. Filloi si gazetar, e brenda gazetarisë çmonte gazetarin hulumtues, tipin e gazetarit që godet me tematikë dhe që shkruan me stil unik. Një roman me vete përbënë koha e hulumtimeve të tij si gazetar, një dramë me vete mund të shkruhet me kujtimet e Mulliqit për kohën kur ai mbuloi me shkrime betejat çlirimtare anembanë Kosovës.

E ndjekur veçanërisht, doli ligjërata e tij për dramaturgjinë tonë. Për llojet e dramës sonë, në kuadër të zhvillimit të letërsisë shqiptare. Dramaturgjia e mitologjia bashkëjetojnë , si në letërsinë tonë ashtu edhe në letërsinë botërore. Prandaj kanë shkruar vepra aq të bukura dramatike në letërsinë tonë Rexhep Qosja, Tek Dervishi, BeqirMusliu, Ymer Shkreli, Ajri Begu e shumë të tjerë, siç kanë shkruar Jelinek, Beket e të tjerë në letërsinë botërore. Me dramaturgji mund të thuhen gjerat e rëndësishme shumë më bukur se me cilëndo gjini tjetër letrare- tha Mulliqi. Pastaj autorit Mulliqi iu shtruan shumë pyetje, të cilave ju përgjigj me kënaqësi .

Në këtë aktivitet kulturor foli edhe Sejdi Zeka, bashkatdhetari ynë që ka regjistruar me kamerën e tij pothuaj të gjitha ngjarjet e rëndësishme të komunitetit tonë në Suedi. Zeka merret edhe me skulpturë, regji e fotografi. Kujtoi disa nga peripecitë e profesionit dhe mundimet e mërgimtarit që një jetë të terë punoi për konsolidimin e jetës kulturore dhe atdhetare të shqiptarëve në Skandinavi. Programin e drejtoi Qerim Kryeziu ndërsa Dr. Muhamet Shatri – zyrtar ndërlidhës në Qendër përshëndeti mysafirët dhe bashkatdhetarët.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat