Ekzekutimi i çiftit nga babai i vajzës, flet shoqja e viktimës - Bota Sot
Ekzekutimi i çiftit nga babai i vajzës, flet shoqja e viktimës

Diaspora

Ekzekutimi i çiftit nga babai i vajzës, flet shoqja e viktimës

Më: 7 janar 2020 Në ora: 14:15
Lindita dhe Veton Musai

Vrasja nga babai i Lindita Musait dhe bashkëshortit të saj, Veton Musait, ka tronditur Australinë dhe mbarë opinionin publik.

Së fundmi për Shqiptarja, ka folur ish-lojtarja e Kombëtares sonë për femra, Ellvana Dragoviç, e cila e kishte mike të ngushtë Lindita Musain. Ellvana ka bërë një rrëfim prekës, ku tregon se Linditën e kishte njohur që kur ishin fëmijë, ndërsa e krahason me një engjëll që nuk do ta harrojë kurrë.

“Mund të flas pafund për të, ajo do të mungojë kaq shtrenjtë në aq shumë zemra, por kurrë nuk do të harrohet” janë disa nga fjalët e Ellvanës, e cila i thotë me plot dhimbje për miken e saj të shtrenjtë, Linditën, që u qëllua për vdekje së bashku me bashkëshortin, Veton Musai,  nga babai i saj Osman Shaptafaj, pak para se të ndërroheshin vitet.

Ellvana tregon se tre vitet e fundit kishin punuar së bashku me Linditën dhe në rrëfimin prekës ajo tshprehet se mikja e saj e ndjerë, nuk harronte kurrë që ta përqafonte e ta puthte sa herë vinte në punë.

“Lindita ishte një engjëll.  Kishte një buzëqeshje që do të ndriçonte dhomën. Hiri dhe prania e saj pushtonin dhomën. Ajo të bënte për vete. Mund të flas për të pafund.  Ne e kemi njohur njëra-tjetrën qysh bebe. Nëna ime edhe nëna e Linditës janë mikesha të mirë. Unë edhe Lindita kemi qenë mikesha shumë të mira. Kemi ndarë rroba, kemi luajtur me kukulla. Kemi ngrënë bashkë. Unë do ta kujtoj shpirtin e saj të bukur përgjithmonë. Do të mungojë kaq shtrenjtë në aq shumë zemra, por kurrë nuk do të harrohet,” rrëfeu Dragoviç.

Ndër të tjera, ish-lojtarja e Kombëtares sonë për femra, tregon se Lindita shkonte shumë mirë me familjen e re që sapo kishte krijuar. Vetëm një vit më parë, familja dhe miqtë u mblodhën për të festuar dasmën e Veton dhe Lindita Musait.  Sipas Ellvanës, familja Musai e kishte respektuar gjithnjë Linditën, madje kjo e fundit thoshte si ishte me fat që kishte gjetur një familje të re kaq të mirë. Përsa i përket Vetonit, bashkëshortit të Linditës, Ellvana e përshkruan si një djalë shumë të sjellshëm dhe me humor që nuk harronte kurrë t’i bënte vajzat të qeshnin.

Për lidhjen mes Vetonit dhe Linditës, Ellvana thotë se ata ishin destinuar për njëri- tjetrin.

“Nuk e njihja Vetonin si Lindita, por për shumë herë që kam kaluar me të ai kishte mirësi dhe humor. E donte aq shumë gruan e tij. Mënyrën se si ai e shihte atë, mënyrën se si ai e trajtonte atë, ishte thjesht e bukur. Ata ishin të destinuar për njëri-tjetrin…Do të më mungojnë aq shumë. Paçit rahmet engjëj të bukur”  tha Ellvana.

Ndërkohë është bërë e ditur se autori i krimit, babai i Linditës, Osman Shaptafaj ishte ndarë nga nënë e Linditës që prej 12 vitesh. Siç raportojnë burimet ai ishte një njeri shumë abuziv, sa e kishte çuar bashkëshorten e tij të ndahej prej tij. Por pavarësisht kësaj ai vijonte të ishte i fiksuar me nënën e Linditës dhe shpesh krijonte probleme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat