Të ruajmë memorien na bën qytetarë më të mirë - Bota Sot
Të ruajmë memorien na bën qytetarë më të mirë

Diaspora

Të ruajmë memorien na bën qytetarë më të mirë

Nga: Brikena Cani Më: 3 qershor 2020 Në ora: 21:15
Brikena Cani

Të themi faleminderit dhe të kemi kujtesë, na bën qytetarë më të mirë. Do të doja të faleminderoja bashkëqytetarët e mi të vendlindjes dhe vendit ku jetoj: shqiptarë e italianë për gjithçka kanë bërë, të bashkuar nën të njëjtin flamur, atë humanitar.

Kur u kthyhen ne Shqipëri 60 infermierët shqiptarë, që ishin në Itali nga data që prej datës 20 prill për  kryerjen e misionit të tyre humanitar, mbanin në duar flamurin italian të dhuruar nga njerëz të thjeshtë me mbishkrimin: "Faleminderit shumë për ndihmën tuaj, Italia do të jetë gjithmonë me ju!". Misioni i tyre përfundoi me sukses. Unë përulem me krenari për punën e tyre të përkushtuar.

Në datat 29 Mars dhe 20 Prill, 90 mjekë dhe infermierë shqiptarë erdhën në Itali për më shumë se një muaj dhe u së bashku me kolegët e tyre italianë iu dedikuan këtij misioni humanitar. Do të doja të nënvizoja atë ç’ka tha me atë rast Kryeministri  shqiptarë, Edi Rama: "Ne nuk jemi të pasur, por por kjo nuk do të thotë që nuk kemi kujtesë".

Nga ana ime do të doja të theksoja se edhe në Shqipëri ishte emergjenca e kononavirusit, e megjithatë vendi im, Shqipëria erdhi në ndihmë të Italisë. Do të doja ti falënderoja një nga një ata 90 djem e vajza, mjëke e infermierë që vunë në dispozicion veten dhe njohuritë e tyre profesionale në ndihmë të popullit italian.

Një nga vajzat e grupit të parë shqiptar, infermierja Suela Horanlli tregon mesazhin që nëna e saj i shkruajti para se të largohej: ‘Të priftë e mbara zemra ime, Zoti qoftë me ty dhe të shpërbleftë për zemrën e madhe që ke. Kurt ë arrish më thuaj. Të puth nëna jote’.

Mjeku Orges Haruni për misionin e tyre humanitar bën të ditur në mediat sociale emocionin që ndjeu kur, përveç falënderimeve nga i gjithë spitali, njerëzit në rrugë i duartrokisnin dhe i falënderonin. Ai i prekur tregon: "Një nga momentet më emocionuese ishte kur mbajtëm në duar tre flamujt: flamurin shqiptar, italian dhe atë të regjionit të Lombardisë ".

Italia më mirëpriti dhe është vendi ku lindën fëmijët e mi dhe gjithçka që ndodh për të mirën e këtij vendi më prek thellësisht, ndërsa Shqipëria është toka ime amtare dhe kur dëgjoj të flitet mirë për të më bën akoma më krenare.

Duhet të gjejmë një mënyrë për ti falënderuar të gjithë këta njerëz që kanë punuar për të ndihmuar të tjerët. Duhet të kemi kujtesë e t’ju themi faleminderit, dhe të japim lajme të mira në faqet e historisë sonë sot.

Sot është një ditë e bukur me diell. E mrekullueshme nëse nuk e dinim se çfarë na pret jashtë: Një pasiguri e madhe. E madhe, sepse askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me të vërtetë dhe kur do të përfundojë plotësisht kjo situatë!

Image
Twitter
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat