Mbi 1 mijë të akomoduar në strukturat hoteliere në Durrës

Durrësi

Mbi 1 mijë të akomoduar në strukturat hoteliere në Durrës

Më: 1 dhjetor 2019 Në ora: 10:22
Pas termetit

Në një njoftim për shtyp, zyra e Ministrit Fuqiplotë për Adresimin e Pasojave të Tërmetit, të drejtuar nga ministri Bledi Çuçi bëri të ditur informacione mbi punën e institucioneve publike për adresimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor.

Sot është dita e pestë pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, i cili solli tragjedinë e humbjes së jetës për 51 bashkëqytetarët tanë, dhe shkaktoi të lënduar dhe dëme të mëdha në shumë banesa në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Lezhë.

Deri më sot:

–  Janë ngritur dhe funksionojnë Shtabet e Emergjencës në çdo bashki të prekur;

– Janë mbyllur operacionet e përbashkëta të kërkim-shpëtimit nga të cilat janë nxjerrë 45 persona të gjallë;

– Kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale rreth 900 qytetarë nga të cilët 731 vetëm në Spitalet e Traumës në Tiranë dhe Durrës dhe tre prej tyre janë dërguar për trajtim të specializuar jashtë vendit.

– Mbahen në monitorim të vazhdueshëm personat e lënduar të shtruar në spitale;

– Janë evidentuar të gjitha familjet të cilat kanë patur humbje të të afërmve dhe janë mbështetur ndër të tjera, me të gjitha shpenzimet për ceremonitë mortore organizimi i të cilave është mbuluar nga autoritetet vendore (bashki dhe prefektura);

-Janë strehuar në struktura hoteliere 2,843 në Durrës, Tiranë, Shëngjin, Shkodër, Vlorë, Pogradec, Gjirokastër dhe Kukës.

– Sot u miratua në Mbledhjen e Qeverisë Vendimi për mekanizimin i cili mundëson mbulimin e kostove për akomodimin dhe ushqimin pranë strukturave hoteliere;

– Njëkohësisht janë shpërndarë çadra në zonat rurale , duke përfshirë njësitë administrative Vorë, Bubq, Ishëm, Manëz;

– Është në proces boshatisja e katër (4) palestrave në Durrës, pas verifikimeve të bëra me Njësitë Administrative. Një pjesë e këtyre banorëve e filtruar nga njësitë vendore është nisur drejt strukturave hoteliere.

– Sot në Durrës numri total i të akomoduarve në strukturat hoteliere është 1064;

– Në Tiranë pesë Qendra Sociale kanë ofruar e vazhdojnë të ofrojnë strehim dhe ushqim për banorët e pastrehë për shkak të tërmetit.

– Janë shpërndarë dyshekë, batanije, jastëkë, ushqime, veshje, ilaçe, produkte higjenike, për të gjithë qytetarët e akomoduar në hotel dhe për ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë në çadra pranë shtëpive të tyre, kryesisht në zonat rurale. Kjo është bërë e mundur dhe vazhdon të bëhet e mundur edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të shumë bashkëqytetarëve, bizneseve, organizatave jofitimprurëse vendase dhe të huaja, vëllezërve dhe motrave nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga diaspora.

– Në hotelet ku janë strehuar qytetarë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, ka filluar të ofrohet shërbim mjekësor dhe ndihmë psiko-sociale pa ndërprerje dhe janë duke u përgatitur listat e fëmijëve dhe janë bërë gati planet për transportin e tyre për në shkolla dhe të prindërve për në vendet e tyre të punës, duke filluar nga dita e hënë.

– Është ngritur dhe po funksionon Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Ky Grup do të bëjë vlerësimin e gjendjes së të gjitha banesave në bashkitë e prekura nga tërmeti bazuar mbi një metodologji të përgatitur në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Grupet e ekspertëve asistohen njëherësh edhe nga Policia e Shtetit dhe Administratorët e Njësive Administrative të bashkive të prekura. Grupet e vlerësimit kanë filluar punë në terren që nga data 29 nëntor.

– Në bashkinë e Durrësit janë angazhuar në terren gjithsej njëmbëdhjetë (11) ekipe dhe është bërë vlerësimi teknik i ndërtesave në mbi 250 objekte duke përfshirë shkollat publike. Ka filluar gjithashtu puna për vlerësimin teknik të ndërtesave të shkollave private. Vetëm 4 shkolla publike janë përcaktuar nga eskpertët si të papërshtatshme për mësim.

-Filloi shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës. Përcaktimi i këtyre banesave është bërë me vendim të këshillit bashkiak, mbi bazën e vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve.

-Vazhdojnë inspektimet e përforcuara në të gjitha pikat e grumbullimit te ndihmave ushqimore në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës.

– Gjithashtu edhe në çdo qendër, hotel apo restorant ku shërbehet ushqim për të prekurit nga tërmeti. Inspektorë të ardhur nga Draku Fier dhe Elbasan janë në mbështetje për të siguruar monitorim të pandërprerë në këto vend grumbullime. Situata e sigurisë ushqimore është nën kontroll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat