Në vijim të procesit të bonusit të qirasë, Bashkia e Durrësit njofton se aktualisht përfitojnë bonusin 2200 familje.
Sipas bashkisë bonusi për këto familje është gati prej ditës së sotme e gjatë javës në vazhdim në varësi të përpunimit të pagesës nga bankat.
“Bashkia sqaron se lista me përfituesit e bonusit përditësohet. Ndërsa plotësimi, verifikimi, miratimi i dosjeve të aplikuesve është një proces që nxjerr në pah edhe problematika specifike në një situatë emergjence të pa ndodhur më parë”, thekson bashkia.
Stafi i bashkisë vijon punën për të zgjidhur hap pas hapi çdo rast në përputhje me VKM- të dhe aktet normative në fuqi dhe për të mbyllur sa më shpejt të gjitha dosjet me qëllim kalimin e bonusit të qirasë te qytetarët që kanë aplikuar.
Pranë bashkisë së Durrësit vijon të jetë i hapur gjithashtu edhe procesi i aplikimeve të reja për bonusin.
“Kujtojmë qytetarët e prekur nga tërmeti se duhet të aplikojnë që të përfitojnë bonusin e qirasë”, shprehet bashkia./atsh