Porti i Durrësit do i jepet me koncesion për 30 mln euro privatit pa kryer asnjë investim!

Durrësi

Porti i Durrësit do i jepet me koncesion për 30 mln euro privatit pa kryer asnjë investim!

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 09:40
Ilustrim

Porti i Durrësit, një nga nyjet më të rëndësishme tregtare të Shqipërisë, do t’i kalojë privatit. Me një vendim të beftë, Autoriteti Portual i Durrës ka hapur një tender me vlerë rreth 30 milionë euro, ku kërkon kompani private të menaxhojë terminalin e kontenierëve.

Në dokumentet e këij tenderi, të siguruara nga gazeta “Shqip” nuk jepen informacione se përse ndërmerret ky veprim, duke hedhur hije të forta dyshimi se gjithçka bëhet për të favorizuar privatët të kontrollojnë dhe menaxhojnë këtë terminal, i cili zë rreth 85 përqind të tregtisë së mallrave në rrugë detare të Shqipërisë.

Ndryshimet e fundit në kupolën drejtuese të këtij Autoriteti Portual duket se kanë pasur qëllim kalimin e tij në duart e privatit, i cili për 5 vitet e ardhshme do të ketë dorë të lirë me kontenierët, duke kontrolluar dhe menaxhuar pikërisht këtë terminal të rëndësishëm të Republikës së Shqipërisë. Nga informacionet e “Shqip” mësohet se funksionimi deri në këtë kohë është bërë normalisht, pavarësisht infrastrukturës apo edhe neglizhencës me dashje të titullarëve, të cilët kanë dashur që këtë terminal ta përdorin për interesa të tyre.

“Shqip” hulumtoi dokumentet e këtij tenderi, ku bëhet me dije se vlera që do ti jepet privatit ësht plot 3.736.183.195 lekë, pa TVSH. Mësohet se burimi i financimit për këtë shërbim është i parashikuar nga të ardhurat, që sigurohen nga tarifat portuale për shërbimet me kontejnerët, në këtë mënyrë financimi dhe likujdimi ndër vite është i garantuar, nga ana tjetër synohet të optimizohet kryerja e këtij shërbimi përmes uljes së kostove dhe rritjes së përfrmancës nga qasja në shërbim e një operatori me përvojë.

 Pra, në dokumente është shkruar se paratë që do të vilen nga tarifat e kontenierëve do ti kalojnë privatit. Dhe, nga ana tjetër, në asnjë rresht në dokumente nuk përmendet se çfarë do të investojë privati. Skema është shumë e qartë, pasi me një të rënë të lapsit, privati do të zhvasë plot 30 milionë euro, që ishin destinuar të shkonin në arkat e shtetit. Dhe, në këmbim, shteti nuk përfiton asnjë shërbim, pasi investimet në infrastrukturë do të bëhen sërish nga buxheti i shtetit.

Në lidhje me afatin prej 5 vitesh, Autoriteti Portual thotë se “kontrata me afat deri në 5 vjet me ofruesin këtyre shërbimeve, shmang kostot administrative që mund të kishte procedura e prokurimit në mënyrë të përsëritur dhe shmang riskun që sjell kryerja cdo vit e procedurës, kjo sepse procedurat e prokurimeve kërkojnë një kohë të caktuar e cila do të cila do të sillte si pasoje mungesën e shërbimit ose në rastin më të mirë kosto shtesë përgjatë këtyre periudhave tranzitore”. Fituesi do të ketë dorë të lirë për plot 5 vjet, duke marrë këtë shumë pa kryer asnjë shërbim!

Në dokumente thuhet se “shërbimet do të kryehen në terminalin e kontenjerëve në Portin e Durrësit”.

Sipas tyre, në Terminal do të realizohet menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmiresimi teknik, si edhe adaptimi për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Portin e Durresit duke përfshire ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve konteinerike, aktivitetet e lidhura si depozitim konteinerësh, magazinim, lëvizje ekstra, transportim, spontimi, mbushje-zbrazje, shifting, 24 orë për 7 ditë të javës, përfshire marrjen e masave e alokimin e burimeve të kerkuara për mjete, pajisje, sisteme, praktika, procedura, programe, organizim dhe burime njerezore në përputhje me praktikat më të mira industriale, në përputhje me specifikimet dhe të dhënat e detajuara të këtij dokumenti.

Pra, asnjë shërbim ekstra, nga sa kryhej deri tani në këtë port, Në vend që këto para të përdoreshin për të zgjeruar terminalin, këto të ardhura do të shkojnë direkt në xhepat e privatëve, të cilët me një grusht punëtorësh, do të menaxhojnë këtë terminal, që deri më sot ka qenë një “minierë” për buxhetin e Autoritetit Portual të Durrësit.

“…synohet që impakti social i operimit të terminalit të kontejnerëve të jetë sa më i ulët, duke ruajtur sa është e mundur numrin e të punësuarve aktualë në terminal” thuhet në këto dokumente, duke konfirmuar se privati do të ketë punonjësit aktualë të këtij porti.

Duke hulumtuar dokumentet, “Shqip” zbuloi se privati do të menaxhoj edhe tarifat për përpunimin e kontenierëve. Arkëtarët privatë do të menaxhojnë këto të ardhura dhe nëse do të binden “paratë do ti depozitojnë në llogarinë e APD”.

“Aktualisht të ardhurat nga tarifat e shërbimeve në rubrikën 1-10 mbidhen nga agjencitë spedicionere, kurse ato të 11 nga agjencitë detare. Operatori ekonomik që do të realizojë shërbimin e menaxhimit dhe operimit të terminalit të konteinerëve në Portin e Durrësit do të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale që tarifat e shërbimeve të rubrikës 1-10 të vilen” thuhet në këto dokumente.

Dhe, në gjithë këtë procedurë, ngrihen disa pikëpyetje. Çfarë përfiton shteti shqiptar nga dhënia me koncesion e këtij porti? A nuk mund të menaxhohet ky port me punonjësit aktualë? Çfarë investimesh do të kryhen në këtë terminal? Normalisht, ashtu si në çdo pasuri tjetër publike, buxheti i shtetit do të humbë minimalisht 30 milionë euro!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat