Vdekja e foshnjës në Durrës. Babai: Gruaja e gjeti vajzën të vdekur në krevat, pse akuzoj mjekët

Durrësi

Vdekja e foshnjës në Durrës. Babai: Gruaja e gjeti vajzën të vdekur në krevat, pse akuzoj mjekët

Më: 19 prill 2017 Në ora: 08:17
Spitali i Durresit

Një foshnje vetëm 15-muajshe është gjetur nga prindërit e saj pa shenja jete, ndërsa e kishin vënë për të fjetur.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së hënë, tregojnë prindërit e vogëlushes, e cila mbërriti në urgjencën e spitalit rajonal në Durrës, rreth orës 02:30 të mëngjesit, pa shenja jete.
Vdekja e vajzës N.A., 15-muajshe, banuese në Fllakë, ka ndodhur në rrethana ende të paqarta. Prindërit nga ana e tyre fajësojnë mjekët, pasi vetëm tri ditë më parë, ata e kishin dërguar në Pediatri në Spitalin e Durrësit për kontroll, pasi kishte probleme me frymëmarrjen.

Mjekët, tregon babai i saj Kujdesi Aga për "Panorama", pasi e kanë vizituar, i kanë rekomanduar që ta marrin në shtëpi dhe të ishte nën kujdesin e mjekut të familjes. Sipas tij, nëse mjekët do ta kishin shtruar, foshnja nuk do të kishte këtë fat.

Babai i vogëlushes, teksa qëndron te dera e morgut dhe pret rezultatin e mjekësisë ligjore dhe për të tërhequr trupin e saj, ka kërkuar që të vendoset drejtësi për të bijën që humbi jetën krejt papritur.

Çfarë ka ndodhur konkretisht me foshnjën tuaj, e cila ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta?

Pak ditë më parë, vajza kishte shfaqur shqetësime shëndetësore, kishte probleme me frymëmarrjen. Menduam se do të ishte diçka kalimtare, sikurse ndodh shpesh me fëmijët e vegjël. Në datën 14, pra tri ditë më parë, babai im ishte pa qejf dhe meqë po sillnim për të vizituar babain, thamë të sillnim edhe vajzën për një vizitë. Erdhëm këtu në Spitalin e Durrësit, babai u vizitua në urgjencën e spitalit, ndërsa vajza në pediatri.

Çfarë ndodhi më pas?

Vajzën e vizitoi një doktoreshë, dhe pas vizitës mjekësore na dha një recetë dhe na rekomandoi të kishim kujdes dhe vajza të ishte nën mbikëqyrjen e mjekut të familjes. Sipas doktoreshës, vajza nuk kishte virozë stine, sikur pretendonim ne, por bronkopneumoni, që është ftohje mushkërish. Për pasojë ishin bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Pasi përfunduam me vizitën mjekësore, doktoresha na dha një recetë për të marrë ilaçe dhe na tha të largoheshim në shtëpi.

Prej sa ditësh kishte shfaqur probleme shëndetësore vajza juaj? A shfaqi përmirësim pas medikamenteve që ju rekomandoi doktoresha?

Kishte disa ditë, por menduam se ishte thjesht virozë stine që kalojnë të vegjlit. Filluam t’i jepnim ilaçet që na rekomandoi doktoresha dhe po prisnim që situata të ndryshonte. Mirëpo vajza vazhdonte të kishte të njëjtat shqetësime me rrugët e frymëmarrjes. Nuk kishte gjë tjetër, as temperaturë dhe as diarre. Menduam se ilaçet do ta jepnin efektin më pas. Kur pasi kaluan tri ditë, vajza ndërroi jetë. Bashkëshortja e gjeti të pajetë mëngjesin e sotëm, rreth orës 01:00. Tentuam ta sillnim me urgjencë drejt spitalit të Durrësit, por më kot, ajo kishte ndërruar jetë.

Kishit konstatuar më herët shqetësime shëndetësore te foshnja juaj?

Shqetësime si gjithë fëmijët e tjerë, por jo ndonjë gjë të madhe. Kujt i shkonte mendja se do të ndodhte kjo që ndodhi. Fëmijët janë fëmijë, ftohen dhe sëmurën. Por që të arrinim deri në këtë pikë, sa të humbnim fëmijën, nuk e kishim menduar kurrë.

Ju ndodheni këtu në morgun e Durrësit për të tërhequr trupin, çfarë thanë mjekët, cili ishte shkaku i vdekjes?

Në fakt, ende nuk kanë dalë përgjigjet e analizave, të cilat përcaktojnë shkakun e vdekjes së foshnjës. Por di të them se nëse do ta kishin shtruar vajzën në spital, dhe do të ishte nën kujdesin e mjekëve ajo do të ishte gjallë sot.

Po fajësoni bluzat e bardha për vdekjen e vajzës suaj? Sigurisht që përgjegjësia për vdekjen e vajzës bie drejtpërdrejti mbi mjekët, pasi duhet ta kishin shtruar vajzën në spital dhe jo ta kalonin thjesht me një vizitë dhe me një recetë ilaçesh.

Juve si prindër këmbëngulët që të shtrohej vajza në spital?

Jo, neve nuk këmbëngulëm për ta shtruar vajzën, sepse nuk menduam se situata do të ishte alarmante. Ne nuk jemi mjekë, që të dinim shkallën e sëmundjes së vajzës. Duhet të jenë mjekët ata që të rekomandojnë prindërit, madje edhe të këmbëngulin për ta shtruar pacientin, nëse e shohin të nevojshme. Prandaj ne fajësojmë mjekët për vdekjen e vajzës.

Çfarë kërkoni konkretisht?

Kërkojmë që të nisin hetimet për rastin në fjalë nga policia. Të gjenden shkaktarët e vërtetë të vdekjes së vajzës. Përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin që meritojnë. Ne kemi humbur vajzën, dritën e syve, dhe jemi mjaft të hidhëruar. Është jetë njeriu dhe mjekët duhet të jenë më të kujdesshëm në raste të tilla, pasi nuk është hera e parë që në spitalin e Durrësit ndodhin të tilla raste. Siç thashë më lart, nuk e dimë ende cili ishte shkaku i vdekjes së foshnjës, por jemi të sigurt se po të ishte nën vëzhgimin e mjekëve, nuk do të kishte vdekur. Si prindër ne kërkojmë të hetohet ngjarja dhe të vihen para përgjegjësisë autorët.

Po ju si prindër nuk keni fare përgjegjësi në këtë mes?

Sigurisht kemi edhe ne përgjegjësit tona dhe për këtë nuk jemi fare krenarë. Por theksoj se nëse mjekët do ta kishin shtruar, vajza do të ishte gjallë sot.

Juve i ndoqët këshillat e mjekes, e cila u la porosi që foshnja duhet të ishte nën kujdesin e mjekut të familjes?

Menduam se ilaçet do ta bënin më mirë vajzën, dhe po prisnim që medikamentet të jepnin efektet. Vajza nuk shfaqi përkeqësim dhe menduam se nuk ishte ndonjë gjë shumë serioze, deri sa përfunduam në këtë pikë.

Shefi i Pediatrisë: Fëmija kur ka ardhur, ka qenë në gjendje të mirë

Shefi i Repartit të Urgjencës së Pediatrisë, Fatmir Shahini, shprehet se foshnjës i është dhënë shërbimi i nevojshëm nga ana e stafit mjekësor.

Shahini thotë se pas lajmit për vdekjen e foshnjës, është interesuar për procedurën e ndjekur gjatë vizitës në spital. Shefi i Pediatrisë thekson se vajza ka qenë në gjendje të mirë dhe me pak temperaturë, dhe se mjekja nuk ka konstatuar asnjë shqetësim, përveç një bllokimi të vogël të rrugës së sipërme të frymëmarrjes.

“U interesuam nëse ky fëmijë ka qenë i shtruar te ne dhe kur ka qenë dhe rezultoi se fëmija është dërguar në spital më datë 14 dhe në kartelë është shënuar që ka pasur një problem të lehë me rrugët e frymëmarrjes. Fëmijës i është bërë pastrimi i hundëve për shkak të një bllokimi që kishte. Sipas mjekes, fëmija kur ka ardhur, ka qenë gjendje të mirë dhe me pak probleme në rrugët e frymëmarrjes. Kjo ka qenë arsyeja që mjekja ka vendosur që fëmija të vazhdojë trajtimin në shtëpi”, shprehet ai.

Shahini përjashton në mënyrë kategorike që viroza të jetë shkak për vdekjen e vajzës 15-muajshe. Ai shton se kjo ndodh në raste të rralla, vetëm kur gjendja e fëmijës është shumë e rëndë. Shefi i Pediatrisë jep dy mundësi që mund t’i kenë sjellë vdekjen vogëlushes, që sipas tij janë vdekje e papritur, ose mbytja nga sekrecionet.

“Nuk mendoj që të ketë qenë viroza që ka sjellë vdekjen. Shkak mund të ketë qenë edhe një vdekje e papritur dhe kjo është e njohur, mund të ketë ardhur edhe ndoshta nga ndonjë mbytje me sekrecionet e veta”, u shpreh shefi i Pediatrisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat