Ministri Lluka takon minatorët, takimi përfundon pa marrëveshje

Ekonomi

Ministri Lluka takon minatorët, takimi përfundon pa marrëveshje

Më: 9 janar 2019 Në ora: 13:25
Pamje nga takimi

Një takim i zhvilluar sot në mes Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, Këshillit grevist të Minatorëve dhe kryetarit të Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, ka rezultuar pa marrëveshje.

Pas më shumë se dy orësh takim, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për minatorët grevistë, një gjë e tillë nuk është arritur.

Minatorët nga ana e tyre kanë reduktuar kërkesat në dy sosh: Rritjen e pagave për 20 përqind  si dhe shkarkimin e Bordit dhe Menaxhmentit të Trepçës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, pas takimit tha se përmbushja e këtyre kërkesave në këtë fazë është pothuajse e pamundur.  Sipas tij, gjendja financiare  aktuale e Trepçës është e dobët dhe nuk mund të ketë kapacitet për rritje të pagave. Ndërsa shtoi  se shkarkimi i Bordit është çështje e niveleve më të larta.

Megjithatë, Lluka i ka njoftuar minatorët se statuti për Trepçën tashmë është në Parlament dhe kjo çështje do të jetë prioritet në agjendën e punës së Kuvendit.

 “I njoftova Sindikatën dhe Këshillin grevist për procedurat që kanë filluar, se statuti për Trepçën tashmë është në Parlament, dhe me fillimin e punës së Parlamentit të Republikës së Kosovës një ndër temat e para që do të jetë në agjendë do të jetë statuti I Trepçës që I hap rrugë regjistrimit të Trepçës si shoqëri aksionare , punësimit të menaxhmentit dhe pastaj zhvillimit të Trepçës sipas praktikave më të mira. Normalisht për këto dy kërkesa të punëtorëve është vështirë të pajtohemi në këtë moment për arsye se Trepça është në vështirësi jashtëzakonisht të madhe dhe nuk ka ndonjë kapacitet financiar të ketë ndonjë rritje të rrogave aktualisht…Kurse sa i përket Bordit kjo është një çështje më madhore, Për këtë normalisht do të merremi edhe me Bordin do të shohim si qëndron puna edhe me menaxhmentin pastaj takohemi. Është me rëndësi që ne kemi dialog por janë rregullat tà « caktuara kur mund të shkarkohet Bordi”, tha ministri Lluka.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqri Sadiku, u shpreh i vendosur për vazhdimin e grevës deri në realizimin e kërkesave.

“Kërkesat janë shumë të qarta dhe sipas Këshillit grevist dhe Sindikatës greva duhet të vazhdojë deri në realizimin e këtyre dy kërkesave”, tha Sadiku.

Kujtojmë se Minatorët e Trepçës kanë hyrë në grevë që nga 3 janari i këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat