Belegu flet për Zonën Ekonomike Amerikane në Gjakovë, e quan “Bondsteel ekonomik”

Ekonomi

Belegu flet për Zonën Ekonomike Amerikane në Gjakovë, e quan “Bondsteel ekonomik”

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 17:41
Erolld Belegu

Nënkryetari i AAK-së dhe kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD dhe së fundmi këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, Erolld Belegu ka folur për Zonën Ekonomike Amerikane në Gjakovë.

Këtë zonë ai e ka cilësuar si një Bondtseel ekonomik për Kosovën në përgjithësi dhe Gjakovën në veçanti.

Intervista e plotë:

Z. Belegu, si ka filluar kjo zonë ekonomike?

– Zona Ekonomike Amerikane në Gjakovë ka filluar me propozimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai e ka ideuar projektin, si shtytje për ekonominë tonë, por edhe për marrëdhëniet e forta SHBA-Kosovë.

Cili është roli juaj në këtë projekt?

– Unë jam përgjegjës dhe udhëheqës i Komisionit për Themelimin e Zonës Amerikane, përmes partneritetit me qytetin e Norwalk dhe Konsullatës tonë në Iowa. Drejtpërdrejt do të kontribuoj në realizimin e plotë të këtij projekti dhe koordinimin në mes akterëve të përfshirë.

A ka ndonjë person me të cilin keni kontakt më direkt në SHBA dhe që ndikon që ky projekt të ecën përpara?

– Është Hollie Zajicek, Drejtoreshë për Ekonomi në qytetin e Norwalk, ajo që po kontribuon shumë në këtë projekt. Jemi angazhuar bashkërisht ku e kemi bërë një studim të fizibilitetit dhe një fushatë reklamuese, që është reklamuar në Iowa të SHBA-ve.

Në cilën fazë është momentalisht ky projekt?

– Po, fizibiliteti është kryer pa asnjë kosto për qeverinë e Kosovës dhe është në dispozicion për secilën kompani amerikane që dëshiron të vijë në Kosovë. Momentalisht jemi në fazë të identifikimit të operatorit që do ta udhëheqë këtë zonë.

Çfarë ndikimi do të ketë kjo zonë për Gjakovën dhe Kosovën?

– Kjo zonë është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës në përgjithësi e Gjakovës në veçanti. Kjo sepse Gjakova dikur ka qenë qytet i fabrikave dhe me këtë zonë mund të shpresojë që do të kthehet aty ku ishte dikur. Shumë shpejt pritet që kompani të mëdha amerikane do të vijnë dhe ndërtojnë bazat e tyre këtu. Autostrada e Dukagjinit do të kalojë përmes kësaj zone dhe kjo gjë do ta mundësojë që ky Bondsteel Ekonomik të lidhet me portin e Durrësit për një kohë shumë të shkurtër udhëtimi dhe me atë të Selanikut për 4 orë. Gjithashtu do të ketë edhe investime në hekurudhë, kurse me FSK-në kemi marrëveshje që aeroporti i Gjakovës të mund të shfrytëzohet nga këto kompani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat