​Rrjeti i Shitësve me Pakicë: BQK dhe bankat komerciale të rikonsiderojnë politikat e tyre për detyrimet e bizneseve - Bota Sot
​Rrjeti i Shitësve me Pakicë: BQK dhe bankat komerciale të rikonsiderojnë politikat e tyre për detyrimet e bizneseve

Ekonomi

​Rrjeti i Shitësve me Pakicë: BQK dhe bankat komerciale të rikonsiderojnë politikat e tyre për detyrimet e bizneseve

Më: 1 prill 2020 Në ora: 18:19
Foto ilustrim

Duke marrë për bazë gjendjen e rëndë të bizneseve, Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon nga Banka Qendrore e Kosovës që në konsultim me bankat komerciale të rikonsiderojnë dhe sqarojnë detyrimet e bizneseve gjatë periudhës me koronavirus.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë, megjithatë, shpreh shqetësimet e thella të anëtarëve në lidhje me mundësinë e shtyrjes të kthimit të këstit të kredisë dhe u bënë thirrje institucioneve përkatëse që të ndërmarrin masa urgjente për praktikat e mëposhtme të cilat po i dëmtojnë në themele bizneset.

a) Bankat të cilat sipas vendimit të BQK-së kanë aprovuar shtyrjen e kthimit të kredisë për 3 muaj, po obligojnë bizneset që këstet e grumbulluara për 3 muaj t’i paguajnë përnjëherë bashkë me këstin e muajit korrik 2020.

b) Për këtë riprogramim të pagesës së kësteve të kredive bizneset po ngarkohen me interes shtesë për tre 3 muaj duke e llogaritur pjesën e mbetur të obligimit si mbitërheqje për këta 3 muaj dhe në këtë mënyrë po krijojnë kosto shtesë ndaj bizneseve. Virusi është një emergjencë ekonomike gjithashtu.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë rekomandon këto masa:

-Ri-programim të drejtë:

Bankat duhet të ri-programojnë në tërësi pagesën e kësteve të kredive në mënyrë që mos të ngarkojnë bizneset menjëherë pas afatit për të cilin janë shtyrë obligimet bankare (gjegjësisht, në korrik) me të gjithë shumën e prapambetur, pasi kjo do të ndihmonte direkt në likuiditetin e bizneseve.

-Interes 0%:

Afati i marrëveshjes së kredisë të zgjatet për 3 muaj shtesë dhe për këstet e mbetura sipas planit të ri të pagesave mos të aplikohet interes shtesë.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë vlerëson si të padrejtë që bizneset të ngarkohen me kosto shtesë për ri-programim të pagesës së kredive gjatë kësaj periudhe, ma rrë parasysh gjendjen emergjente të shëndetit publik, vendimin e BQK-së dhe udhëzimet e Ministrive të linjës.

“Është obligim moral dhe institucional që në kohë të pandemisë COVID 19 të krijohen lehtësira për bizneset në mënyrë që të dalim më pak të dëmtuar nga kjo situatë e jo të rrezikojmë funksionimin apo edhe shuarjen e shumë bizneseve që me shumë mund dhe sakrificë janë zhvilluar deri tani. Në këtë mënyrë, kërkojmë nga Banka Qendrore e Kosovës dhe të gjitha bankat komerciale që menjëherë të trajtojnë çështjet e përmendura me kujdes, në mënyrë që të evitohen dëmet kolosale ndaj bizneseve të sektorit privat”, përfundon komunikata.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat