Papunësia po rritet, eksperti i ekonomisë: Qeveria po dështon në menaxhimin e pandemisë

Ekonomi

Papunësia po rritet, eksperti i ekonomisë: Qeveria po dështon në menaxhimin e pandemisë

Nga: G.B Më: 28 gusht 2020 Në ora: 13:53
Qeveria e Kosovës

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk votuan Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, derisa ka thënë se kompanitë private po vazhdojnë masovisht t’i largojnë nga puna punëtorët.

Lidhur me këtë, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se shqetësimi i sindikatës duhet të merret seriozisht nga qeveria, pasi barra bie mbi atë, për shkak të dëmtimit të bizneseve.

“Vlerësoj që shqetësimi i Sindikatës duhet marrë shumë seriozisht qeveria e Kosovës. Barra bie mbi qeverinë për faktin që pandemia ka dëmtuar bizneset për shkak që qeveritë, si e Kurtit po ashtu edhe qeveria Hoti kanë marrë vendime duke tkurrur aktivitetin ekonomik dhe me këtë duhet t’ia kujtojmë që jetojmë në ekonomi të tregut që biznesi mbanë punëtorë në bazë të aktivitetit ekonomik. Pra ekonomia është treguesi më i mirë se sa një qeveri ka politika të mirëfillta ekonomike, në këtë rast duhet t’i kujtojmë ish-ministrit të financave në qeverinë Kurti, z. Besnik Bislimi me deklaratën skandaloze që kemi pasur rritje të punësimit në kohë pandemie. Po ashtu me të marrë mandatin z.Hoti premtoi vlera deri në 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ai.

Image
Mustafë Kadriaj

Sipas Kadriajt, qytetarët nuk i harrojnë premtimet që i bëri LDK para se të vinte në qeveri, por më pas e rrëzoi qeverinë pjesë e të cilës ishte.

“Me këtë dua të theksoj që qytetari nuk mund t’i harrojë premtimet e LVV-së dhe të LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit për një qeveri ndryshe, njëherësh ju dha rastin që ta tregojnë veten por përveç që u vonuan në krijimin e qeverisë Kurti, ambiciet e LDK-së dhe kryeneqësia e z.Kurti rezultuan që qeveria të prishet brenda dy muajve duke ngritur mocion mosbesimi nga vet partneri i koalicionit, pra LDK-ja, njëherësh duke ndërruar partnerët e koalicionit”, ka vlerësuar ai.

Më tej, ai thotë se pavarësisht pritjes nga kryeministri Hoti, u dëshmua se e kemi qeverinë më të dobët, duke shtuar kemi rënie ekonomike dhe rritje të papunësisë, duke shtuar kështu varfërinë ekstreme në vend.

“Pra, me të marrë mandatin z.Hoti, përkundër pritjes së paku që do kemi politika zhvillimore koha tregoi që kemi qeverinë më të dobët nga ana kuadrovike duke dështuar në menaxhimin e pandemisë, njëherësh nuk kemi diçka konkrete në politika zhvillimore përkundrazi me ligjin për pandeminë Covid19 vetëm i ka penalizuar bizneset dhe është më se normale që bizneset nuk kanë tjetër alternativë përveç që t’i reduktojnë punëtorët. Pra si rezultat kemi rënie ekonomike, e cila dikton në rritje të papunësisë e cila determinon ulje të fuqisë blerëse dhe si përfundim ulje e mirëqenies ekonomike dhe rritje të varfërisë njëherësh duke rritur edhe varfërinë ekstreme në vend”, ka deklaruar Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat