Hoti: Problemi me qumështin, ndodhi një ngopje e tregut

Ekonomi

Hoti: Problemi me qumështin, ndodhi një ngopje e tregut

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 14:15
Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se janë duke punuar të gjejnë një zgjidhje për qumështarët, në veçanti të ndaljes në treg të produkteve që kanë bazë nga vaji i palmës.

Hoti: Ndodhi ngopje e tregut

“Ajo që ka ndodh është ngopje e tregut për shkak të pandemisë dhe zhvillimeve tjera. Jemi duke punuar ministrat dhe të gjejmë një zgjidhje për qumështarët, në veçanti të ndaljes në treg të produkteve që kanë bazë nga vaji i palmës“, tha Hoti.

Hoti shtoi se po punojnë që edhe Ministria e Bujqësisë të përkrah pak më shumë qumështarët dhe brenda ditësh do të gjejnë një zgjidhje.

Përndryshe, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Arbër Tolaj ka marrë fjalën në këtë seancë duke treguar fillimisht se Grupi Parlamentar i AAK-së i bashkohet reagimit të Grupit të Grave deputet lidhur me rastin e Valbonës nga Gjakova.

Ai më pas u shpreh se në shenjë pakënaqësie, të detyruar nga pamundësia për destinim të qumështit të tyre dhe mungese të tregut, fermerët po detyrohen të derdhin qumështin në lumenj.

“Sipas fermerëve, kjo po ndodh për shkak të ngopjes së tregut me produkte kancerogjene nga vaji i palmës. Ata shprehin pakënaqësinë që nuk po merret vendim për ndalimin e importit të produkteve me vaj palme”, shtoi Tolaj.

Po ashtu, ai tha se kriza e shkaktuar për shkak të pandemisë e ka rritur nevojën për mbështetje më të madhe institucionale, duke qenë se në treg ka rënë fuqia blerëse e këtij produkti.

Tolaj: Qeveria t’i gjendet afër prodhuesve

“Si Grup Parlamentar kërkojmë nga Qeveria, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Tregtisë që urgjentisht t’i trajtojë kërkesat e këtyre prodhuesve të qumështit dhe sa më parë të bëjnë një zgjidhje konkrete në tejkalimin dhe përballimin e sfidave me të cilat përballen ata. Të zgjidhen sa më shpejt problemet e tyre pasi secilën ditë që kalon, fermerët po dëmtohen tej mase në të ardhurat financiare dhe rrezikon mbylljes e bizneseve të tyre" tha ndër tjerash ai.

Tolaj theksoi që të zgjidhen sa më shpejt problemet e tyre pasi secilën ditë që kalon, fermerët po dëmtohen tej mase në të ardhurat financiare dhe rrezikon mbylljes e bizneseve të tyre, ku kryesisht janë biznese familjare e një numër i madh i tyre edhe kanë detyrime ndaj bankave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat