Tërheqja e 10 % “mollë sherri” mes pozitës e opozitës – bizneset në humbje, Kosova pa Projektligj për Rimëkëmbje

Ekonomi

Tërheqja e 10 % “mollë sherri” mes pozitës e opozitës – bizneset në humbje, Kosova pa Projektligj për Rimëkëmbje

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 21:13
foto ilustrim

Derisa bizneset në Kosovë kanë pasur afër 900 milionë euro më pak qarkullim gjatë periudhës së pandemisë, tërheqja e 10 për qindëshit nga Trusti Pensional është bere “mollë sherri” mes opozitës dhe pozitës në Kuvendin e Kosovës, duke bërë kështu që votimi i këtij projektligji të dështojë për herë të katërt.

Katër herë më radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19. Opozita po e kundërshton fortë këtë projektligj, e nga pozita thonë se projektligji mund të ndryshohet përmes amendamenteve.

Në një përgjigje më shkrim për lajmi.net në Ministrin e Financave kanë thënë se kjo ministri ka shprehur gatishmëri që pas  miratimit në lexim të parë, projekt-ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të mund t’i nënshtrohet plotësim-ndryshimeve përmes amendamenteve nga grupet parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ashtu siç e kemi bërë të ditur, Ministria e Financave ka shprehur gatishmëri që pas miratimit në lexim të parë, projekt-ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të mund t’i nënshtrohet plotësim-ndryshimeve përmes amendamenteve nga grupet parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Andaj, Ministria e Financave rithekson se mbetet e hapur për bashkëpunim në plotësim-ndryshimin e këtij projektligji, gjithnjë duke marrë për bazë dispozita e masa të bazuara në evidencë dhe analiza ekonomike që gjenerojnë efekte në rritjen e ekonomisë, punësimit dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i MF-së Muharrem Shahini.

Por opozita, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur kundër këtij projektligji pasi sipas tyre ky projektligj nuk ndihmon bizneset.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza gjatë një konference për media ditë më parë është shprehur se PDK-ja ka kërkuar që në vend të këtij projektligjit, të votohet propozimi i saj.

Hamza, ka thënë se propozimi i qeverisë nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk ndihmon të gjitha kategoritë. Ai ka thënë se “nëse janë në pyetje vetëm mjetet e Trustit, mund të ndryshojmë një nen të Ligjit për Fondet Pensionale dhe të mos quhet ligj për rimëkëmbje”.

Ndërsa, nga Vetëvendosje kanë thënë se ky projektligj ka mangësi dhe nuk të i ndihmon ekonomisë.

Sipas tyre as tërheqja e dhjetë përqindëshit nuk i ndihmon atyre që kanë nevojë, pasi pjesa e madhe e tyre nuk kanë të hyra në këtë fond pensional.

Por sipas MF-së, ky projektligj përveç që ua mundëson qytetarëve tërheqjen e 10 për qindëshit, përmban dispozita tejet të rëndësishme që krijojnë mundësitë ligjore për zbatimin e një sërë masash të rëndësishme të cilat hapin rrugë zbatimit efikas të Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe rigjallërimin e ekonomisë së vendit tonë

“Përkundër perceptimit mbase të gabuar se ky projekt-ligj është i fokusuar kryesisht në krijimin e bazës ligjore që ua mundëson qytetarëve të vendit t’i tërheqin 10% të mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale për të rritur kërkesën agregate në ekonomi, ky projektligj, në fakt, përmban dispozita tejet të rëndësishme që krijojnë mundësitë ligjore për zbatimin e një sërë masash të rëndësishme të cilat hapin rrugë zbatimit efikas të Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe rigjallërimin e ekonomisë së vendit tonë”, ka thënë Shahini

Ky projektligji sipas MF-së mundëson transferin e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, për t’u vënë në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit.

“Përmes plotësim-ndryshimit të ligjit për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, mundësohet kreditimi i ekonomisë me kushte të favorshme për bizneset dhe fermerët – përmes mbulimit të rrezikut dhe subvencionimit të normave të interesit nga Qeveria e Kosovës. Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për TVSh-në do të mundësohet reduktimi i normës së TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi duke e ndihmuar në masë të konsiderueshme bizneseve të këtij sektori të prekur nga pandemia. Kësisoj, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 krijon mundësinë ligjore për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë masa të cilat do ta shtyjnë përpara procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 22 korrik, kap vlerën prej 385 milionë eurosh.

Ndërkohë, shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese nga masat e marra nga qeveria për parandalimin e pandemisë, të cilat, në një kohë, kanë përfshirë edhe mbylljen e disa bizneseve.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës dërguar për lajmi.net, bizneset në Kosovë kanë pasur afër 900 milionë euro më pak qarkullim gjatë periudhës mars-korrik, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë periudhës janar-gusht 2020 kemi realizuar të hyrat tatimore 302.3 milionë euro, shumë kjo e cila krahasuar me periudhën e vitit të kaluar rezulton se kemi 33 milionë euro më pak të hyra se periudha e njëjtë e vitit 2019. Nëse bëjmë krahasim me planin e rishikuar që kemi rreth 14 milionë euro të hyra më pak se sa plani i rishikuar. Kjo sigurisht vjen si rezultat i pandemisë që më konkretisht mund ta theksojmë sepse gjate periudhës mars deri në korrik 2020 kemi një rënie të qarkullimit të bizneseve me shumë prej rreth 900 milionë euro, apo më saktësisht 898 milionë euro shumë kjo që nëse e zbërthejmë në përqindje i bie qe 20 % ka rënie të qarkullimit në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat