Beqaj s’përgjigjet për procesin e privatizimit të KEDS, arsyetohet se rasti është në gjykatë

Ekonomi

Beqaj s’përgjigjet për procesin e privatizimit të KEDS, arsyetohet se rasti është në gjykatë

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 17:37
Pamje nga takimi

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, ka refuzuar të përgjigjet lidhur me privatizimin e distribucionit të KEDS-it në Komisionin hetimor parlamentar për procesin e privatizimit në Kosovë.

Beqaj para anëtarëve të komisionit tha se për këtë proces të privatizimit është duke u zhvilluar një proces gjyqësor, andaj ai nuk do të përgjigjet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati, ka pyetur ish-ministrin se si është vendosur të privatizohen të dy njësitë biznesore, shpërndarja dhe furnizimi. Ai ka pyetur edhe për atë nëse çmimi me të cilin ishte shitur, ka qenë më i duhuri.

E ish-ministri Beqaj tha se këtë çështje do ta zgjidhë gjykata dhe institucionet e drejtësisë.

Beqaj: Përderisa është procesi në vijim, s’mund të përgjigjem për këtë çështje

“Për privatizimin e distribucionit të KEDS-it është duke u zhvilluar një proces gjyqësor dhe përderisa procesi është në vijim e sipër, nuk mund të përgjigjem për këtë çështje. Referojuni vendimeve të Kuvendit, dokumenteve që keni para vetes, besoj që këtë çështje do ta zgjidhë gjykata dhe institucionet përkatëse”, tha ai.

Deputeti Murati megjithatë ka insistuar të marrë përgjigje nga ish-ministri Beqaj se a është shitur distribucioni i KEDS-it me çmim të duhur.

Murati: 2013 -2018 qarkullimi ka qenë 1.7 miliardë euro, fitimi neto 143.75 milionë

“Për 6 vjetët pasues, 2013 -2018, qarkullimi ka qenë 1.7 miliardë euro, fitimi neto 143.75 milionë euro. A e konsideroni edhe një herë që çmimi prej 26.3 milionë euro i shitjes për këtë ndërmarrje ka qenë i duhuri?”, tha ai.

Por, Murati sërish ka marrë përgjigje të njëjtë nga Beqaj, se nuk do të përgjigjet përderisa procesi është në gjykatë.

Beqaj: Për shkak të potencialit të ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, s’do të përgjigjem

“Unë nuk mund të bëj komente për të dhënat të cilat nuk i di, nuk më kanë interesuar dhe thjesht në këtë kontekst ju mund të bëni konstatime të tilla. Por, e them prapë se për shkak se kjo është në procedurë gjyqësore dhe për shkak të potencialit të ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, unë nuk do të përgjigjem për këtë temë. Kurdo që të përfundojë, jam i gatshëm dhe të rri një javë ditë për ta diskutuar secilin hap, por pasi të përfundojë”, tha ai.

E deputeti Murati ka reaguar duke thënë se edhe ai vetë e di se çmimi nuk ka qenë i duhur.

Murati: Edhe ju e dini që nuk ka qenë çmimi i duhur

“Prej juve së paku do të duhej të dëgjonim që çmimi prej 26.3 milionë euro ka qenë çmimi i duhur, nuk ka asgjë inkriminuese këtu, por fakti që ju po qeshni me cinizëm këtu i bie që edhe ju e dini që 26.3 milionë euro nuk ka qenë çmimi i duhur. Edhe ju e dini që nuk ka qenë çmimi i duhur, po për shkak që e dini që nuk ka qenë çmimi i duhur nuk dëshironi të përgjigjeni. Përndryshe po ta dinit, po të ishit të sigurt në aq që e thoshit ju do ta jepnit këtë konstatim”, tha ai.

Ish-ministri Beqaj në vazhdim të mbledhjes së komisionit, tha se privatizimi i aseteve të rregulluara është privatizim i shërbimeve dhe jo i aseteve fizike, dhe se kushdo që e heton këtë çështje duhet ta kuptojë.

Beqaj: Nuk janë privatizuar asetet në aspektin rregullativ

“Privatizimi i aseteve të rregulluara është privatizim i shërbimeve jo i aseteve fizike dhe kushdo që e heton këtë çështje duhet ta kuptoni mirë. Është manipuluar shumë sa kilometra tela e sa shtylla e sa trafo. Besoj që e dini e keni në vendime, privatizimi është bërë i shërbimit, ndërsa asetet të cilat i ka në posedim KEDS-i janë asete të rregulluara, të cilat nuk mund t’i përdorë për asnjë veprimtari tjetër me përjashtim të furnizimit me energji elektrike dhe çdo shitje e çdo aseti, cilindo trafo le ta shesë, cilëndo ndërtesë le ta shesë, ajo do t’i kthehet konsumatorëve. Ju lutem edhe një herë, për shkak se është në procedurë gjyqësore, më parandalohet të jap përgjigje, por ju kisha lutur kur të bëni vlerësime të tilla është mirë ta ndërtoni mekanizmin e plotë. Këto vendime i ka Kuvendi, informacionet e plota i ka ZRRE. Nuk janë privatizuar asetet në aspektin rregullativ, duhet ta keni të qartë të gjithë”, tha ai.

Sa i përket privatizimit të Telekomit, ish-ministri Beqaj tha se procesi është dëmtuar nga njerëz, që sipas tij, nuk kanë lexuar asnjë faqe në jetën e tyre.

Beqaj: Ky proces ka përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar

“Them me keqardhje se është diskutuar nga njerëz që kurrë në jetën e tyre asnjë faqe nuk e kanë lexuar dhe kjo ka bërë dëm edhe në proces, edhe në imazhin e vendit, pasi është krijuar një përshtypje që çdo gjë në këtë vend po shkon keq. Pas shumë thashethemeve e diskutimeve në Kuvend, pas shumë kryqëzimeve dhe tendencave për kryqëzime në Kuvend, ky proces ka përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar...Kemi qenë shumë të kujdesshëm në përpilimin e dokumentacionit, aty ku ka fakte të gjitha fjalët pushojnë”, tha ai.

Përplasje në këtë komision ka pasur edhe mes deputetëve të opozitës. Derisa ish-ministri Beqaj, u shpreh se beson se procesi i privatizimit dhe përcaktimi i titullarit në një ekonomi të tregut është esencial, ai është pyetur nga deputeti LVV-së Hekuran Murati se “çka quajmë treg”.

Murati: Profesor, çka quajmë treg sipas jush?

“E përmendët disa herë çështjen e ekonomisë së tregut të lirë, meqenëse jeni edhe profesor çka quajmë treg sipas jush?”, tha ai.

Kjo ka nxitur reagimin e deputetit të PDK-së Sejdi Hoxha, i cili tha se kjo pyetje nuk ka relevancë për punën për të cilën është thirrur komisioni.

Hoxha: A e ke thirr për provim në ekonomi?

“A e ke thirr për provim në ekonomi...Është mirë që kandidatët që i kemi ftuar në intervistë t’i pyesim për pyetjet që kanë relevancë dhe rëndësi në lidhje me procesin e privatizimit. T’i bëhet një të ftuari këtu një pyetje se çka është ekonomia dhe çka mendon ti me termin ekonomi ose treg për mua është fyerje. Nuk e kemi ftuar askënd këtu me e shti në provim, unë besoj që profesor Beqaj na mban ligjërata për këtë punë”, tha ai.

Megjithatë, përgjigje nuk mori as nga ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, i cili i ftoi të ndjekin ligjëratat e tij.

Beqaj: Ata që s’kanë njohuri bazike për ekonominë, të vijnë në fakultet për ligjërata

“Besoj se të gjithë ju duhet ta dini se çka është ekonomia e tregut, për të gjitha ata të cilët nuk kanë njohuri bazike për ekonominë mund të vijnë në fakultet për ligjërata”, tha ai.

Për këtë ka reaguar kryetari i këtij komisioni Hajrullah Çeku, i cili tha se gjuha ofenduese ndaj deputetëve nuk është e lejueshme.

Çeku: Edhe gjuha ofenduese ndaj deputetëve nuk është e lejueshme ndaj asnjë deputeti

“Edhe gjuha ofenduese ndaj deputetëve nuk është e lejueshme ndaj asnjë deputeti. Kështu që, po iu tërheq vërejtjen një herë mos më detyroni ta bëj edhe një herë”, tha ai.

Deputeti Hekuran Murati, sërish ka vazhduar me pyetje lidhur tentimin e privatizimit të Telekomit, ku ka pyetur ish-ministrin se a ka pasur njohuri se kur kompania AXOS është shpallur fituese adresën të cilën e ka pasur në regjistrin e bizneseve ka qenë një shtëpi rezidenciale dhe ka pasur qarkullim 300 mijë euro.

Ish-ministri Beqaj tha se të gjitha kushtet janë plotësuar në këtë procedurë.

Beqaj: Janë plotësuar të gjitha kushtet për të proceduar dhe kjo është respektuar

“Për të gjitha procedurat KQP-ja ka pasur këshilltarët e transaksioneve, ka pasur këshilltarët strategjik, ka pasur zyrën ligjore. Çdo dokument është trajtuar para se të vijë në KQP nëpër këto procedura. Të gjitha procedurat ligjore janë të plotësuara konform rekomandimeve të këshilltarit të transaksioneve, këshilltarit strategjik. Mund të merret informacion i plotë në dokumente pa asnjë problem. Unë nuk e thash që nuk kam qenë në dijeni, as nuk e thash që kam qenë në dijeni, mos krijoni, sepse kjo nuk funksionon tek unë. Ka qenë një ekip i profesionalizuar i njerëzve, të cilët kanë marrë dhe analizuar dokumentet e shkruara. Si komision keni qasje në çdo dokument zyrtar, merrni dhe shihni se a ka pasur seli, a ka pasur mjete financiare dhe a janë plotësuar kushtet. Unë po e them në bazë të njohurive që kemi ne janë plotësuar të gjitha kushtet për të proceduar dhe kjo është respektuar”, tha Beqaj.

Sërish ka reaguar kryetari i Komisionit Hajrullah Çeku, i cili i ka kërkuar ish-ministrit Beqaj që të deklarohet se a ka pasur njohuri apo jo.

Çeku: A keni qenë në dijeni apo jo, është hera e fundit që po ju pyes

“A keni qenë në dijeni apo jo, është hera e fundit që po ju pyes, nëse nuk përgjigjeni e konstatoj si refuzim për t’u përgjigjur. Keni qenë në dijeni apo nuk keni qenë. Beqaj: Unë po e them edhe një herë me dijeni të plotë që procesi është bërë në transparencë të plotë dhe në harmoni me të gjitha ligjet e Kosovës”, tha ai.

Deputetët kanë kërkuar përgjigje edhe për tentimin për të privatizuar Telekomin e Kosovës, për çka Beqaj tha se ka qenë gabim që nuk është privatizuar. I pyetur rreth abuzimeve në procesin e privatizimit, Beqaj tha se nëse do të kishte njohuri për abuzime të tilla do t’i adresonte.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat