Rukiqi: Duhen instrumente fiskale dhe financiare që të amortizohet rritja e çmimit të energjisë

Ekonomi

Rukiqi: Duhen instrumente fiskale dhe financiare që të amortizohet rritja e çmimit të energjisë

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 11:07
Berat Rukiqi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, përmes një postimi në facebook ka potencuar se Kosova në këtë periudhë nuk ka zgjidhje të lehta dhe as shumë zgjedhje rreth çështjes së furnizimit me energji elektrike dhe kostos së energjisë.

Sipas Rukiqit, në planin afatshkurtër, Kosova duhet të përdorë instrumente fiskale dhe financiare, në mënyrë që të amortizohet rritja e pashmangshme e çmimit të energjisë elektrike. E në fokus të përkrahjes nga këto instrumente, duhet të jenë kategoritë sociale, bizneset mikro dhe të vogla, si dhe bizneset prodhuese.

Për këto të fundit, Rukiqi thotë se duhet të analizohet mundësia e zbatimit të ‘tarifës industriale’, e cila mundëson ruajtjen e aftësisë konkurruese të këtyre bizneseve në tregun vendor dhe në tregjet ndërkombëtare.

Ne plan afatshkurte, duhet te perdoren instrumente fiskale dhe financiare, qe te amortizohet rritja e pashmangshme e çmimit te energjise elektrike. Ne fokus te perkrahjes nga keto instrumente duhet te jene kategorite sociale, bizneset mikro dhe te vogla, si dhe bizneset prodhuese”, shkroi Rukiqi.

Kurse, për një plan afatmesëm, Rukiqi rekomandon që duhen investime masive në efiçiencë, si izolimi i objekteve dhe sistemet e ngrohjes, si dhe investime në burime të energjisë që mund të përdoren për vetëkonsum sikur kulmet me panele solare, biomasa, sidomos tek kategoria e bizneseve.

Ndërkohë, për një plan më afatgjatë, sipas kreut të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Kosova duhet ta ketë të zgjidhur çështjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Rukiqi theksoi se industria 100% green (e gjelbër) është e pamundshme në Kosovë, sikurse në të gjithë botën, për arsye teknike dhe kostos.

Prandaj, çdo vend në botë e ka ende në funksion dhe do ta ketë në funksion, edhe për një kohë të caktuar, së paku një burim konvencional të energjisë, energji me gaz, nukleare, ose me thëngjill.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat