Shumë biznese paralajmërojnë ikjen e punëtorëve pas 1 janarit

Ekonomi

Shumë biznese paralajmërojnë ikjen e punëtorëve pas 1 janarit

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 10:45
Foto ilustrim

Pronarë të kompanive prodhuese në Kosovë thonë se tash e dy muaj janë paralajmëruar nga punëtorët e tyre për largim nga puna, menjëherë pas liberalizimit të vizave. Ndërkohë njohës të ekonomisë, druajnë se një numër i madh i bizneseve mund të falimentojnë pas 1 janarit, si shkak i ikjes së fuqisë punëtore.

“Qysh para 1 muaji kanë nisë paralajmërimet edhe pse kemi ba rritje të pagave, 50% të punëtorëve do ta lëshojnë punën sepse kanë gjetë vende pune në Gjermani apo Evropë, a kanë gjetë apo jo nuk e di mirëpo ata kanë paralajmeru se do të ikin dhe ne rrezikojmë prodhimin dhe falimentimin“, tha Sylejman Konushevci, pronar i një kompanie prodhuese vendore.

Njazi Musliu, pronar i një kompanie tjetër prodhuese, thotë se telashet me mungesën e fuqisë punëtore në firmën e tij kanë nisur shumë kohë më parë dhe se kjo e ka detyruar atë që të angazhojë punëtorë nga venet aziatike.

“Punëtorët ndoshta me neve shefat nuk flasin ato gjëra, çka flasin me kolegët e tyre nuk e di mirëpo nuk kemi paralajmërime…popo ne në vazhdimësi kemi probleme me mungesë të punëtorëve dhe për këtë arsye duhet të punësojmë punëtor nga vendet aziatike edhe pse dëshira jonë është që të punëosojmë të rinjtë tanë”, tha Musliu.

Sipas Insitutit Riinvest” që nga viti 2016, nga Kosova janë larguar nga 30 mijë qytetarë në cdo vit, me viza pune për në Gjermani. Drejtori i këtij instituti, Alban Hashani, tha se pas 1 janarit pritet që mbi 32% e fuqisë punëtore të emigroj në vendet Evropiane.

“Nga të dhënat që i kemi nga anketimet e bizneseve janë se 17.59 e tyre kanë raportuar se punonjësit e tyre veçse i kanë informuar se do të emigrojnë vitin e ardhshëm. Vlerësimet e bizneseve janë se 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm. Për të frenuar këtë trend, vetëm gjatë vitit të fundit, 79 për qind e bizneseve kanë rritur pagat e tyre dhe rritja e pagave ishte 22.23 për qind. Më i prekuri është sektori i ndërtimtarisë”, tha Hashani për RTV21.

Profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa, përmend fushat në të cilat qeveria duhet të investojë, në mënyrë që të parandalohet ikja e qytetarëve.

“Tash bizneset veç i kanë ngritë pagat, mirëpo duhet të investojmë në shëndetësi, drejtësi, arsim sepse duhet ta ndalim migrimin, pas liberalizimit të vizave gjysma e bizneseve do të mbyllen në mungesë të konsumit apo edhe më keq do të largohen nga Kosova e ne kemi nevojë me ardhë ato jo me u largu”, tha Mustafa.

Sipas të gjeturave të fundit të institutit Riinvesit, del se sektori më i prekur nga i ikja e fuqisë punëtore është ai i ndërtimtarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat