Jep dorëheqje partnerja e koalicionit të Angela Merkelit

Evropë

Jep dorëheqje partnerja e koalicionit të Angela Merkelit

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 15:41
Andrea Nahles, kryetarja e Partisë Social-demokrate të Gjermanisë

Andrea Nahles, kryetarja e Partisë Social-demokrate të Gjermanisë, e cila është partnere e koalicionit në qeverinë e Angela Merkelit, ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj. Ky vendim ka ngritur shqetësime për mundësinë e rrëzimit të qeverisë.

Nahles, e cila ka hequr dorë nga të gjitha pozitat politike, përfshirë pozitën e kryetares së grupit parlamentar të SPD-së, tha se dorëheqja e saj është pasojë e rezultatit më të dobët në historinë 156-vjeçare të partisë gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që u mbajtën fundjavën e kaluar. Kjo parti i fitoi vetëm 15.8 për qind të votave, 11 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2014.

Përmes një deklarate, Nahles, e cila ishte bërë kryetare e kësaj partie në prill të vitit 2018, tha: “E mora timonin e partisë dhe të grupit parlamentar në kohë të vështirë. Vendosëm së bashku ta marrim përgjegjësinë për vendin tonë si pjesë e qeverisë gjermane. Njëkohësisht, punuam për ta rindërtuar partinë dhe të sjellim përmbajtje të reja. Sidoqoftë, përkrahja që e kisha dikur nuk është më”.

Vendimi i Nahles është goditje e rëndë për partinë dhe për të ashtuquajturin koalicion i madh mes Kristian-demokratëve dhe social-demokratëve, duke e vënë në dyshim mbijetesën e qeverisë deri në fund të mandatit të paraparë.

Fati i koalicionit qeveritar tash varet nga personi që do ta zëvendësojë kryetaren e dorëhequr. Secili kandidat që ka pikëpamje më majtiste do të mund ta prishte koalicionin, me ç’rast do të mbaheshin zgjedhje të reja, duke i dhënë fund para kohe mandatit të fundit të Merkelit, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat