Në Kale, bizneset dhe autoritetet në pritje të Brexitit - Bota Sot
Në Kale, bizneset dhe autoritetet në pritje të Brexitit

Evropë

Në Kale, bizneset dhe autoritetet në pritje të Brexitit

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 19:56
Kale

Ngërçi politik lidhur me Brexitin vazhdon në Britani, por në anën tjetër të Kanalit të Lamanshit, Franca është hedhur në veprim. Francezët po testojnë praktika të reja doganore këtë muaj për të shmangur vonesa e probleme kur të hyjë në fuqi Brexiti. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant njofton nga qyteti-port i Kalesë mbi masat që po vihen në provë dhe mbi ndikimin që mund të ketë Brexiti tek ekonomia franceze:

Vështirë të gjesh një pikë më të afërt gjeografike me Britaninë. Doveri është vetëm 40 kilometra në anën tjetër të Lamanshit.

Për këtë arsye, Kaleja është një pikë e rëndësishme ekonomike për Francën si dhe për transportin e mallrave e pasagjerëve, si me traget, ashtu edhe përmes hekurudhës së nëndheshme. Prandaj Brexiti është një shqetësim parësor për bizneset franceze këtu:

“Sido që të shkojë Brexiti, butë apo ashpër, transporti i mallrave me Britaninë do të vazhdojë, pasi ne këtu pranë portit të Kalesë nuk jetojmë dot pa Britaninë. Do të përshtatemi,” thotë Arnaud Dequidt, ekspert transporti për kompani lënde drusore.

Qeveria franceze po përgatitet duke organizuar “prova gjenerale” për pas-Brexitin. Ajo ka punësuar qindra doganierë shtesë dhe po vë në zbatim procedura doganore, si formularë për deklarim mallrash për mbi 100 mijë kompanitë franceze që bëjnë biznes me Britaninë.

Autoritetet thonë se masat e reja do të lehtësojnë procesin e kontrollit të mallrave si ushqimet apo gjedhët e dhentë që transportohen të gjallë. Ata parashikojnë operacione të pandërprera së paku në kontrollin doganor.

Këto shqetësime vënë në dukje lidhjet e vjetra ekonomike e historike që ka ky rajon me Britaninë. Dikur këtu ishte një kullë vrojtimi për të parë kur afroheshin ushtritë armike, ndër to edhe britanikët.

“Tregu britanik është tregu i tretë për pjesën veriore. Nëse kemi probleme me këtë treg, do të kemi pasoja për Francën veriore,” thotë një përfaqësues i Dhomës së Tregtisë.

Një studim i fundit i Dhomës së Tregtisë ka identifikuar ata që do të dalin të fituar dhe ata që do të humbasin nga Brexiti pa marrëveshje. Kompanitë britanike të automjeteve mund të vendosin linja prodhimi në këtë zonë. Por industria e peshkut dhe turizmit mund të dëmtohen. Disa banorë në Kale shprehen optimistë:

“Këtu në Kale nuk ka shumë britanikë që përdorin tragetin. Shumica udhëtojnë me trenin Eurostar. Nëse realizohet Brexiti pa marrëveshje mendojmë se do të rihapen dyqanet e shitjes pa taksë dhe njerëzit do të vijnë për të blerë pije alkoolike dhe cigare në Francë,” thotë një shofer taksije. Për momentin, Kaleja është në pritje të hapit tjetër që do të bëjë fqinji në anën tjetër të Lamanshit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...