Zelenskiy: Nuk kishte "shantazh" në telefonatën me Presidentin Trump - Bota Sot
Zelenskiy: Nuk kishte "shantazh" në telefonatën me Presidentin Trump

Evropë

Zelenskiy: Nuk kishte "shantazh" në telefonatën me Presidentin Trump

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 16:56
Volodymyr Zelenskiy

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se nuk i ishte bërë “shantazh” në telefonatën e korrikut me Presidentin amerikan Donald Trump që është në qendër të një hetimi për procedurën e shkarkimit, ndërmarrë nga Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët.

Zoti Zelenskiy u tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni në kohën e telefonatës se zoti Trump kishte ndërmarrë hapa për të bllokuar dhënien qindra milionë dollarëve në ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Presidenti Trump thotë se e mori vendimin për të nxitur Ukrainën që të luftonte korrupsionin. Demokratët akuzojnë udhëheqësin  amerikan se ngriu ndihmën për t’i bërë presion administratës së zotit Zelenskiy për të hetuar kandidatin demokrat presidencial, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.

Zoti Zelenskiy tha të enjten se synimi i tij gjatë telefonatës ishte të siguronte një takim me zotin Trump dhe ta bindte që të ndryshonte retorikën e tij publike për Ukrainën si vend i korruptuar.

Sipas ankesës së një informatori dhe transkriptit të telefonatës të zbardhur nga Shtëpia e Bardhë, zoti Trump e nxiti zotin Zeklenskiy të hapte një hetim për zotin Biden.

Tre komisionet kryesore të Dhomës së Përfaqësuesve që po kryejnë hetime për procedurën e shkarkimit, bënë publike një sërë mesazhesh telefonike që ua kishte vënë në dispozicion ish-i dërguari i posaçëm amerikan në Ukrainë, Kurt Volker, përfshirë një që zoti Volker ia kishte dërguar këshilltarit të Presidentit Zelenskiy, Andrey Yermak ku thuhej "Do të përcaktojmë një datë për një vizitë në Uashington” nëse zoti Zelenskiy "e bind presidentin Trump se do të bëjë hetim."

Zoti Volker u dha dëshmi me dyer të mbyllura Komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Marrëdhëniet me Jashtë dhe Mbikqyrjen javën e kaluar. Departamenti i Shtetit ia ndaloi ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland që të dëshmonte të martën dhe nuk është e sigurt nëse komisionet do arrijnë ta mbajnë dëshminë e planifikuar për të premten me ish-ambasadoren në Ukrainë, Marie Yovanovitch.

Zoti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë gabim dhe e ka përshkruar telefonatën si “të përkryer”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se refuzon të marrë pjesë në hetimin e drejtuar nga demokratët për të përcaktuar nëse duhet të hapet një procedure për shkarkimin e Presidentit Trump.

Mes pakënaqësive të shprehura në letrën e Shtëpisë së Bardhë që njoftonte për mospjesëmarrjen në hetim, ishte një ankesë sipas së cilës demokratët po i mohojnë zotit Trump dhe përkrahësve të tij republikanë mundësinë për të marrë në pyetje dëshmitarë dhe për të pasur qasje në të dhënat që kanë demokratët.

Shtëpia e Bardhë e quan hetimin për procedurën e shkarkimit “jokushtetues”.

Por nuk ka rregulla që të ndalojnë Dhomën e Përfaqësuesve të hetojë akuzat për aktivitet të paligjshëm të një presidenti, para se të vendosë nëse do të hedhë në votim akuza formale për shkarkim./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...