Portugalia dhe Irlanda ashpërsojnë masat, BE miraton vaksinën e dytë për përdorim

Evropë

Portugalia dhe Irlanda ashpërsojnë masat, BE miraton vaksinën e dytë për përdorim

Më: 7 janar 2021 Në ora: 18:44
Portugali

Portugalia është një nga vendet evropiane që së fundmi ka shtuar masat anticovid, pasi ka regjistruar një rritje të rasteve me të infektuar nga COVID-19.  Kufizimet e vendosura përfshijnë një shtetrrethim nga ora 23:00 deri në 05:00. Gjithashtu vendi ka arritur një rekord të ri me 10.000 raste gjatë 24 orëve të fundit që ka shtuar edhe fluksin në spitale. Edhe Irlanda ka ashpërsuar masat duke mbyllur shkollat dhe kantieret e ndërtimit për të paktën 3 javë.

"Spitalet në të gjithë vendin, nëpër ishuj dhe në Evropë janë nën presion nga sëmundja, me punonjës të kujdesit shëndetësor që janë tashmë të rraskapitur dhe po përballen me një shtim të të infektuarve më shumë se në valën e parë. Tashmë kemi më shumë se kurrë më parë pacientë me COVID-19”, tha Micheal Martin, ministër i Irlandës.  

Franca është një nga vendet që nuk pritet të lehtësojë masat, pasi po regjistrohet një rritje e rasteve me COVID-19, si dhe programi i vaksinimit po ecën me ritme të ngadalta. Në këtë mënyrë hapja e lokaleve dhe restoranteve që ishte parashikuar për në datën 20 janar është anuluar, duke i mbajtur këto biznese të mbyllura. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me resortet e skive.

Një lajm i mirë është edhe aprovimi i vaksinës së kompanisë Moderna nga Bashkimi Evropian, pasi Agjencia Evropiane e Barnave i dha dritën jeshile medikamentit.

"Vaksina e Moderna duhet të përdoret për persona më të mëdhenj se 18 vjeç. Studimet kanë treguar se pas dy injektimeve niveli i antitrupave rritet, ashtu sikurse edhe qelizat T imunizohen”, tha Ton de Boar drejtues i Medicines Evaluation Board.

Miratimi i vaksinës së dytë për përdorim emergjent në 27 vendet e bllokut ka mundësuar edhe një armë të re që do të plotësojë numrin e vaksinave kundër coronavirusit. Spanja është një nga vendet evropiane që ka bërë me dije se do t’i sigurojë qytetarëve një numër prej 600.000 doza vaksinash përgjatë 6 javëve në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat