Borrell: Marrëdhëniet me Rusinë, në udhëkryq

Evropë

Borrell: Marrëdhëniet me Rusinë, në udhëkryq

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 12:28
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë vizitës në Moskë, më 5 shkurt, 2021.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëdhëniet midis BE-së dhe Rusisë “janë në udhëkryq”.

Borrell i bëri komentet në një blog të postuar në ueb-faqen e BE-së, pas vizitës që kryediplomati evropian bëri në Moskë.

“Një konferencë shtypi e organizuar në mënyrë agresive dhe dëbimi i tre diplomatëve të BE-së gjatë vizitës sime tregojnë se autoritetet ruse nuk duan ta shfrytëzojnë mundësinë për të pasur një dialog më konstruktiv me BE-në”, tha Borrell.

Gjatë një konference për shtyp me Borrellin, më 5 shkurt, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e quajti BE-në “partner jo të besueshëm”.

Pas pak, Moska njoftoi se diplomatët nga Suedia, Polonia dhe Gjermania janë dëbuar për gjoja pjesëmarrje në një protestë, për të mbështetur politikanin e burgosur të opozitës ruse, Aleksei Navalny.

Të tria qeveritë mohuan se diplomatët e tyre kanë marrë pjesë në protestë.

Përveç rastit Navalny, marrëdhëniet midis Moskës dhe BE-së janë acaruar edhe për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, më 2014, si dhe mbështetjes së vazhdueshme që shteti rus u jep separatistëve që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.

Borrell i bëri thirrje BE-së që të “reflektojë me kujdes mbi drejtimin” që, siç tha, “duam t'iu japim marrëdhënieve tona me Rusinë”.

Ai tha se vizita e tij ka konfirmuar se “Evropa dhe Rusia po largohen nga njëra-tjetra”.

Borrell shtoi se hapat e ardhshëm të BE-së mund të përfshijnë sanksione të mëtejshme kundër Moskës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat