Holanda heq shtetrrethimin/ Lehtësim i lëvizjes nga 5 qershori, numri i infektimeve është në rënie

Evropë

Holanda heq shtetrrethimin/ Lehtësim i lëvizjes nga 5 qershori, numri i infektimeve është në rënie

Më: 29 maj 2021 Në ora: 19:55
Foto ilustrim

Kryeministri holandez, Mark Rutte njoftoi të premten fundin e mbylljes për shkak të Covid-19 duke filluar nga 5 qershori, dhe zbutjen e disa masave kufizuese kundër virusit.

Numri i shtrimeve në spital dhe i rasteve të reja vazhdojnë të bien, duke lejuar hyrjen në fuqi të masave të reja lehtësuese më 5 qershor, katër ditë më herët nga sa ishte paralajmëruar më parë.

“Lehtësimet që do të hyjnë në fuqi më 5 qershor nënkuptojnë fundin e mbylljes”, tha Rutte gjatë një konference për shtyp.

“Ne kemi bërë vlerësimet tona të riskut, por nëse javën e ardhshme “bëhet hataja” dhe numrat rriten sërish, atëherë do të përballemi me një situatë të re”, vazhdoi ai.

“Megjithatë, sipas shkencëtarëve me të cilët jemi këshilluar që nga fillimi i epidemisë, kjo është e pamundur”, shtoi kreu i shtetit, i cili do të vaksinohet javën e ardhshme, sipas burimeve lokale.

Qeveria holandeze kohët e fundit i dha fund shtetrrethimit dhe lejoi restorantet dhe kafenetë t’u shërbenin klientëve në tarraca. Pronarët e restoranteve tani do të lejohen të shërbejnë në ambiente të mbyllura deri në orën 22:00.

Muzetë do të lejohen të hapen me një vizitor për metër katror dhe teatrot dhe kinematë do të duhet të akomodojnë maksimumi 50 vizitorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat