Aktivisti bjellorus plagos veten në shenjë proteste

Evropë

Aktivisti bjellorus plagos veten në shenjë proteste

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 06:32
Stsiapan Latypau

Një aktivist i opozitës bjelloruse goditi veten me stilolaps duke u plagosur në qafë gjatë një seance gjyqësore të martën në Minsk për të protestuar, siç tha, kërcënimet e autoriteteve se do t’i arrestonin familjen dhe miqtë nëse nuk pranonte fajësinë nën akuzat se ka organizuar protesta kundër regjimit të Presidentit Alexander Lukashenko.

Pamjet e marra nga Radio Evropa e Lirë/ Radio Liria tregojnë të akuzuarin Stsiapan Latypau të shtrirë pa lëvizur në një stol në kafazin e të pandehurit pasi kishte lënduar veten. Shihen pranë tij edhe rojet që përpiqen të kundesen për të.

Videoja e tregon të akuzuarin duke u nxjerrë pa ndenja me barrelë për ta futur në ambulancë dhe duket që qafën ku është plagosur ia kanë mbështjellë me garzë të bardhë.

Qendra Viasna për të drejtat e njeriut tha se zoti Latypau ishte vënë në koma të simuluar. Avokati i tij nuk pranoi të komentonte mbi gjendjen e tij.

Para se të qëllonte veten në qafë me stilolaps, zoti Latypau hipi mbi stolin që ndodhej në kafazin e të pandehurit dhe deklaroi se hetuesit i kishin thënë “nëse nuk them që jam fajtor, do të hapin hetime penale kundër familjarëve e miqve të mi”.

Zoti Latypau është nën arrest që në shtator 2020 nën akuza të ndryshme, përfshirë akuzën se ka inskenuar veprime që shkelin rendin publik gjatë protestave të verës së kaluar kundër Presidentit Lukashenko. Protestat shpërthyen pasi udhëheqësi bjellorus deklaroi se kishte fituar zgjedhjet për të gjashtën herë.

Nëse shpallet fajtor, zoti Latypau mund të dënohet me deri në 10 vjet burgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat