Italia hap plotësisht restorantet

Evropë

Italia hap plotësisht restorantet

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 06:52
Ilustrim

Italianët mbushën restorantet dhe kafenetë të martën pas heqjes së kufizimeve për frekuentimin e restoranteve në mjedise të brendshme. 1 qershori shënon hapjen e plotë të bareve dhe restoranteve ndërsa Italia ndërmerr një tjetër hap drejt normalitetit.

Italia hoqi kufizimet ndaj restoranteve të martën duke bërë që vendasit dhe turistët të mbushnin kafenetë për të shijuar ekspresot dhe kapuçinot e preferuara.

"Një kafe të jep ndjesinë e të jetuarit përsëri i qetë," thotë Paolo Leoni ndërsa shijonte një ekspreso në kafenenë “Toraldo” në qendër të Romës.

Shumë vendas dhe turisë po shijojnë ëmbëlsirat në ambjentet e brendshme të lokaleve nën aromën e këndshme të kafesë.

“Është kënaqësi e madhe kur sheh se lokali po mbushet përsëri pas pothuajse katër muajsh. Të shpresojmë që nuk mbyllemi përsëri”, thotë pronari i kafenesë Alessandro Rappini.

Caterina Wachinger është turiste nga Austria.

“Jemi të dashuruar pas këtij vendi. Kjo është arsyeja pse kemi ardhur në Itali.”

Italia ka përjetuar nivele të ndryshme kufizimesh që nga marsi i vitit 2020, kur vendi u mbyll plotësisht si rezultat i përhapjes së shpejtë të virusit.

"Po e pimë me kënaqësi këtë kafe të parë. Po fillojmë përsëri me gëzim. Na kanë munguar këto tradita”, thotë banorja e romës Isabella Petrungaro.

Deri tani mbi 126,000 njerëz kanë vdekur në Itali nga COVID-19 por një fushatë e suksesshme vaksinimi ka ulur në mënyrë dramatike numrin e rasteve dhe vendi po kthehet drejt normalitetit.

Në Itali afro 35 milionë njerëz, ose gjysma e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat