Bosnje: Një migrant i vdekur, dy policë të plagosur

Evropë

Bosnje: Një migrant i vdekur, dy policë të plagosur

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 14:30
Kampi Lipa në Bosnje

Trupi i vdekur i një migranti u gjet mbrëmjen e së martës në kampin e përkohshëm Lipa, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës.

Prokuroria e Kantonit Una-Sana tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se dy policë u plagosën në përleshjet që ndodhën pas gjetjes së trupit.

Trupi u gjet nga migrantët në pyllin afër kampit.

Policia më pas shkoi në vendin e ngjarjes, bashkë me prokurorin e Prokurorisë së Kantonit Una-Sana.

“Migrantët nuk e kanë lejuar policinë të zhvillojë hetime derisa kanë mbaruar ceremoninë fetare, kështu që kanë hedhur gurë në drejtim të policisë”, i tha Radios Evropa e Lirë Deni Odobashiq, bashkëpunëtor i Zyrës së Prokurorit në Una-Sana.

Odobashiq tha se viktima dyshohet se ka bërë vetëvrasje, porse përgjigjen përfundimtare do ta japë autopsia.

Autoritetet shëndetësore në Bihaq, 15 kilometra larg Lipës, konfirmuan se kanë pranuar dy policë të martën mbrëma, të cilët janë plagosur në kampin Lipa.

Pas trajtimit, të dy u liruan nga spitali.

Përleshjet ndodhën pasi Shoqata “Solidariteti” në Bosnje publikoi në faqen e saj në Facebook disa incizime të migrantit të vdekur.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), rreth 3,200 migrantë dhe refugjatë - shumica nga Lindja e Mesme - ndodhen aktualisht në qendrat e pritjes në Bosnje.

Shumica e tyre janë të vendosur në territorin e Kantonit Una-Sana, në kampin e përkohshëm Lipa./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat