Kandidatët për pasardhës të Angela Merkelit nuk arrijnë të frymëzojnë votuesit

Evropë

Kandidatët për pasardhës të Angela Merkelit nuk arrijnë të frymëzojnë votuesit

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 18:08
Posterat zgjedhorë shfaqen në anë të rrugës në Saksoni

Një pjesë e madhe e elektoratit gjerman duket se është ende e pavendosur përpara zgjedhjeve që do të përcaktojnë se kush do të pasojë Angela Merkelin si kancelare, pas 16 vitesh në pushtet.

Anketimet e fundit tregojnë se mbështetja për partitë politike është në nivele të njëjta dhe se asnjë parti nuk parashikohet të marrë më shumë se një të katërtën e votave.

Blloku i Bashkimit të qendrës së djathtë të zonjës Merkel dhe social demokratët e qendrës së majtë radhiten pranë njëri-tjetrit në anketime, të pasuar nga afër nga të gjelbrit ambientalistë, të cilët gjithashtu synojnë të marrin drejtimin e vendit.

Kancelarja Merkel njoftoi në vitin 2018 se nuk do të kërkonte një mandat të pestë katërvjeçar.

Njoftimi i udhëheqëses së hershme gjermane çeli një seri garash të brendshme politike që përfunduan me partinë e saj duke propozuar Armin Laschetin, guvernatorin e rajonit Nordrhein-Westfalen, si kandidatin kryesor.

Image
Armin Laschet

Por shanset e zotit Laschet ranë muajin e kaluar kur rajoni i tij u godit nga përmbytjet vdekjeprurëse dhe 60-vjeçari bëri disa hapa të gabuar, si e qeshura në sfond gjatë një fjalimi të zymtë të presidentit të Gjermanisë dhe hezitimin në reagimin ndaj ndryshimet klimatike, të cilat ekspertët thonë se i kanë bërë më të mundshme katastrofa të tilla.

Të gjelbrit panë që kuotat e tyre u rritën në prill pasi nominuan 40-vjeçaren Annalena Baerbock si kandidaten e tyre për kancelare, me një paraqitje të qetë, ndryshe nga rivalët e saj.

Por edhe kjo nuk zgjati shumë.

Image
Annalena Baerbock

Mungesa e përvojës ekzekutive të zonjës Baerbock dhe debati mbi plagjiaturën në një libër që kishte shkruar, shkaktoi rënien e mbështetjes për partinë e saj.

“Jam mbështetës i hershëm i CDU-së, por nuk do të votoj më për ta. Është e pamundur me një njeri të tillë në krye. Nuk mund të votoj as për të gjelbrit; gënjeshtrat dhe mashtrimi nuk bëjnë për mua,” thotë pensionisti Lothar Wirth, mbështetës i hershëm i CDU-së.

Anketimet e fundit nga transmetuesit publikë ARD dhe ZDF tregojnë se pak votues duan zotin Laschet apo zonjën Baerbock për kancelare, duke rritur nivelin e vlerësimit për Olaf Scholzin – ministër i financave dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë – dhe për Partinë e tij Social Demokrate.

Ish -kryebashkiaku i Hamburgut dhe ministri i punës dikur njihej për atë që kritikët thonë se ishte zakoni për të përsëritur shpesh të njëjtat fraza pavarësisht se çfarë pyetjeje i bëhej.

Image
Olaf Scholz

“Zoti Scholz ka shanse të mira tashmë. Do të shohim që në debatet e ardhshme televizive, kandidatët Bearbock dhe Laschet do të mundohen t’ia kalojnë”, thotë Gregor Zons, shkencëtar politik në Universitetin e Dyseldorfit.

Rishtazi, 63-vjeçari ka theksuar përvojën e tij të gjatë në qeverisje duke shmangur me shkathtësi vëmendjen mbi krizat si përmbytjet dhe Afganistani, ku Gjermania, si vendet e tjera, po përpiqet të evakuojë qytetarët dhe aleatët e saj pasi u zu në befasi nga marrja nën kontroll e talebanëve.

Social demokratët kanë përfituar nga kjo, me një anketim këtë javë që tregon një epërsi të vogël ndaj bllokut të Bashkimit – avantazhi i tyre i parë prej shumë vitesh./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat