Ndalohet dhe lirohet aktivistja që hodhi vezë në muralin e Mlladiqit

Evropë

Ndalohet dhe lirohet aktivistja që hodhi vezë në muralin e Mlladiqit

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 20:26
Murali i Ratko Mlladiqit në rrugën Njegosheva në Beograd, 9 nëntor ,2021.

Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Aida Qoroviq, u ndalua të martën nga policia në Beograd, pasi hodhi vezë në një mural me imazhin e Ratko Mlladiqit, ish-komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

Pas disa orësh në mbajtje, Qoroviq u lirua.

Deri në publikimin e lajmit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arrestimin e saj.

Qoroviq, e njohur për publikun serb që nga fillimi i viteve 1990, u ndalua nga persona me rroba civile, që supozohet të jenë oficerë të policisë, së bashku me një grua tjetër, që u përpoq të protestonte në të njëjtën mënyrë.

Incidenti ndodhi pasi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi një tubim të organizatës Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila donte të shlyente muralin e Mlladiqit.

Të martën, një numër i madh i policëve në uniformë qëndroi në pjesën e qytetit ku ndodhet murali, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ministria e Brendshme e Serbisë tha se policia nuk e mbron muralin, por “rendin dhe qetësinë publike”, si dhe “kontrollon ndalimin e tubimeve”.

“Për këtë qëllim, të gjithë personat po legjitimohen, pavarësisht nga qëndrimi i tyre ndaj muralit të gjeneralit Ratko Mlladiq”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Figura e Mlladiqit është pikturuar në fasadën e një ndërtese në Beograd një muaj pasi Gjykata në Hagë ka konfirmuar dënimin e tij të përjetshëm, më 8 qershor.

Si komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, Mlladiq është dënuar për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 deri më 1995.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat