BE akuzon Bjellorusinë: Po përdor “taktika prej gangsterësh”

Evropë

BE akuzon Bjellorusinë: Po përdor “taktika prej gangsterësh”

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 00:00
Emigrantët nga Lindja e Mesme të bllokuar përgjatë kufirit Bjellorusi - Poloni, në pyjet pranë qytetit Grodno Grodno, të Bjellorusisë ((9 nëntor 2021, Leonid Shcheglov/BelTA via AP)

Mes temperaturash shumë të ulëta, qindra emigrantë u mblodhën të martën përreth zjarreve në pyjet përgjatë kufirit Bjellorusi - Poloni. Rrethimet me tela me gjemba dhe rojet kufitare polake ua kanë ndaluar kalimin për në Bashkimin Evropian.

BE-ja u zotua për sanksione të mëtejshme ndaj Bjellorusisë, duke e akuzuar Presidentin Alexander Lukashenko se po përdor "taktika prej gangsterësh" gjatë kësaj periudhe që ka krijuar një ngërç në kufi dhe gjatë të cilit kanë humbur jetën të paktën shtatë emigrantë.

Polonia dhe vendet e tjera anëtare të BE-së e akuzojnë Bjellorusinë se po i inkurajon emigrantët nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika të kalojnë ilegalisht kufirin për në BE, si formë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj Minskut për shkeljen e të drejtave të njeriut.

"Regjimi bjellorus po sulmon kufirin polak, BE-në, në një mënyrë të paprecedentë", tha Presidenti polak Andrzej Duda gjatë një konference për shtyp në Varshavë. "Kemi aktualisht një kamp emigrantësh që janë bllokuar nga pala bjelloruse. Janë rreth 1 mijë veta atje, shumica djem të rinj. Këto janë veprime agresive që duhet t'i zmbrapsim, në përmbushje të detyrimeve tona si anëtarë të Bashkimit Evropian".

Gazetarët e agjensisë së lajmeve Reuters panë rojet kufitare polake ndërsa ndalonin një grup emigrantësh kurdë nga Iraku në një pyll në anën polake të kufirit mbasditen e së martës. Ekipet e mjekësisë u dhanë batanije të Kryqit të Kuq disa prej emigrantëve. Një grua e moshuar nuk ecte dot.

Image
Rojet kufitare polake qëndrojnë pas telave me gjemba

OJQ-ja "Grupa Granica" (Grupi i Kufirit) tha se grupi përbëhej nga 16 emigrantë, nëntë prej tyre fëmijë. Ata thanë se grupi në fjalë ishte dërguar mbrapsht katër herë nga rojet kufitare të të dyja vendeve që kur kishin arritur të kalonin kufirin më 24 tetor.

"Kërkoj azil në Poloni", thuhet në një mesazh të shkruar në anglisht në një copë letër që mbante në dorë një burrë në moshë të mesme.

Kryeministri Mateusz Morawiecki, i cili vizitoi trupat polake të dislokuara në kufi, tha se emigrantët po përdoren nga Bjellorusia në kuadrin e "një lloji të ri lufte, në të cilën njerëzit përdoren si mburoja".

Qeveria e Lukashenkos, që mbështetet nga Rusia, mohon të ketë orkestruar krizën e emigrantëve dhe fajëson Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për vuajtjet e njerëzve që janë bllokuar në kufi.

Qeveria bjelloruse thirri të martën atasheun ushtarak të Polonisë për të protestuar ndaj atyre që i quan akuza të pabaza për përfshirjen e personelit ushtarak bjellorus në këtë krizë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat