Rusia hedh poshtë akuzat për rrezikimin e astronautëve në ISS

Evropë

Rusia hedh poshtë akuzat për rrezikimin e astronautëve në ISS

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Zyrtarët rusë hodhën poshtë të martën akuzat se kishin vënë në rrezik astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, ndërsa Moksa kreu një provë me armë në hapësirë duke shkatërruar një satelit. Zyrtarët amerikanë e quajtën veprimin e Mokës të pamatur dhe të papërgjegjshëm. Mbeturinat nga sateliti i shkatërruar rus mund t’i shkaktojnë dëme të mëdha stacionit hapësinor që sillet në orbitë me një shpejtësi prej 28 mijë kolometrash në orë.

Pasi Rusia goditi me raketë një satelit të vjetër, duke shkaktuar mijëra copëza mbeturinash hapësinore, Uashingtoni u shpreh se Moska kishte vënë në rrezik jetët e astronautëve në bordin e stacionit hapësinor. Administratori i NASA-s Bill Nelson tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se rreziku për astronautët tani është katërfishuar.Po ashtu, reagimi i diplomacisë amerikane ishte i ashpër.

Prova tregon qartë se Rusia, “pavarësisht pretendimeve të saj kundër armatimit të hapësirës, është e gatshme të rrezikojë eksplorimin dhe përdorimin e hapësirës nga të gjitha vendet përmes sjelles së saj të pamatur dhe të papërgjegjshme”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken përmes një deklarate.

Të hënën Departamenti i Shtetit konfirmoi se mbeturinat në afërsi të stacionit ndërkombëtar i përkisnin një sateliti të vjetër rus të shkatërruar me raketë.

“Federata Ruse kreu në mënyrë të pamatur një provë për shkatërrimin e një sateliti të saj me raketë anti-satelitore. Prova ka shkaktuar 1,500 copa mbeturinash orbitale të gjurmueshme dhe qindra mijëra copëra më të vogla që tani kërcënojnë interesat e të gjitha vendeve”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.

Uashingtoni tha se do të bashkëpunonte me aleatët dhe partnerët për të reaguar ndaj aktit të papërgjegjshëm të Rusisë. 

Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, tha të martën se Shtetet e Bashkuara nuk kishin përfilluar propozimet e Rusisë dhe Kinës për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për armët në hapësirë. Reagimi i Moskës erdhi pas akuzave të Uashingtonit se Rusia realizoi një provë të rrezikshme me raketë anti-satelitore. 

“Është hipokrizi të pretendosh se Federata Ruse përbën rrezik ndaj aktiviteteve paqësore në hapësirë. Nuk ka fakte”, tha zoti Sergei.

Agjencia ruse e hapësirës Roscosmos nuk konfirmoi apo mohoi goditjen me raketë, duke thënë vetëm se "siguria e pakushtëzuar e ekuipazhit ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kryesor", thuhet në një deklaratë të paqartë të publikuar në internet të martën. 

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi të martën kryerjen e një testi dhe shkatërrimin e një sateliti jofunksional, që ka qënë në orbitë që nga viti 1982.

Mbrojtja ruse këmbëngul se, “SHBA-ja e di me siguri se fragmentet e krijuara, kur flitet për kohën e provës dhe parametrat orbital, nuk rrezikuan dhe nuk do të përbëjnë rrezik për stacionet orbitale, mjetet, apo aktivitetet hapësinore. 

Mëngjesin e së hënës, kur u bë e qartë se çfarë po ndodhte, ekuipazhi në bordin e stacionit hapësinor u urdhërua të strehohej menjëherë në kapsulat e ankoruara. 

Një provë e ngjashme armësh nga Kina në vitin 2007 shkaktoi copa të shumta mbeturinash. Javën e kaluar NASA u detyrua të lëvizte stacionin pasi një copë e tillë mendohej se përbënte rrezik. 

Prova me raketa anti-satelitore u kryen nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2008 dhe India në vitin 2019 në lartësi shumë të ulta, shumë poshtë orbitës së stacionit hapësinor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat