​Belgjikë: Gjykata pezullon vendimin e qeverisë për mbylljen e teatrove

Evropë

​Belgjikë: Gjykata pezullon vendimin e qeverisë për mbylljen e teatrove

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 21:25
Foto ilustrim

Teatrot belge dhe institucionet e tjera kulturore fituan sot betejën ligjore në përpjekje për t'u rihapur, pasi qeveria urdhëroi mbylljen e tyre si pjesë e masave të koronavirusit për të frenuar rritjen e infeksioneve omicron.

Këshilli Shtetëror, Gjykata e Lartë Administrative e Belgjikës, pezulloi urdhrin e qeverisë për mbylljen e institucioneve kulturore, i cili u publikua javën e kaluar dhe hyri në fuqi këtë javë, me shpjegimin se ishte "disproporcional", raporton Reuters.

Në vendimin e publikuar sot, thuhet se edhe nëse varianti omicron kërkon kufizime shtesë, qeveria duhet të shpjegojë pse nevojitet një masë e caktuar për arsye të shëndetit publik dhe gjykata ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë.

Që nga e diela, 26 dhjetor, të gjitha aktivitetet në hapësirat më të mëdha publike të mbyllura si kinema, teatro dhe sallat e koncerteve janë ndaluar në Belgjikë.

Ngjarjet më të mëdha në natyrë, duke përfshirë tregjet e Krishtlindjes, ngjarjet kulturore dhe të tjera, nuk lejohen, dhe ndeshjet sportive profesionale dhe amatore mund të luhen pa praninë e audiencës, si brenda ashtu edhe jashtë.

Belgjika ka shënuar një rënie të vazhdueshme të infeksionit COVID-19 që nga kulmi i tij në fund të nëntorit, por rastet e variantit omicron po rriten me shpejtësi dhe tani përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjitha rasteve me COVID-19, sipas Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat