Mbreti holandez ndalon përdorimin e karrocës mbretërore

Evropë

Mbreti holandez ndalon përdorimin e karrocës mbretërore

Më: 14 janar 2022 Në ora: 06:45
Ilustrim

Mbreti i Holandës Willem-Alexander ka njoftuar se mbretërit holandez nuk do të përdorin më një karrocë të artë historike mes një debati mbi lidhjet e skllavërisë. Kritikët thonë se njëra anë e karrocës me kuaj e quajtur De Gouden Koets është zbukuruar me një imazh që lavdëron të kaluarën koloniale të vendit. Karroca është jashtë përdorimit që nga viti 2015 dhe karroca është përdorur tradicionalisht për të transportuar monarkët holandezë në hapjen e parlamentit.

Vendimi vjen mes një debati të vazhdueshëm në vend mbi historinë e tij. Imazhi i diskutueshëm i paraqitur në karrocë quhet Tribute from the Colonies dhe përshkruan njerëz të zinj dhe aziatikë. Në imazh njëri prej njerëzve është ulur në gjunjë, duke i ofruar mallra si kakao dhe kallam sheqeri një gruaje të re të bardhë që është ulur dhe që simbolizon Holandën. I ulur pranë saj është një burrë që i ofron një libër një djali të ri, për të cilin piktori i veprës Nicolaas van der Waay tha në 1896 se kishte për qëllim të portretizonte dhuratën e “civilizimit” të Holandës për kolonitë e saj.

Në një video zyrtare që njoftonte lëvizjen, Mbreti Willem-Alexander pranoi se karroca ishte fyese për një numër të madh njerëzish dhe i bëri thirrje vendit që të përballen sëbashku me trashëgiminë e historisë së tij koloniale. Ai tha se “thjesht ndalimi i objekteve dhe simboleve historike sigurisht që nuk është zgjidhje dhe që nevojitet një përpjekje e bashkërenduar që shkon më thellë dhe zgjat më shumë”. Ai tha gjithashtu që duhet të jetë një përpjekje që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë raporton “BBC”.

Karroca ka qenë jashtë përdorimit për disa vite dhe ka qëndruar në Muzeun e Amsterdamit, për shkak të një projekti restaurues që përfundoi vitin e kaluar. Aktivistët kundër racizmit në Holandë e kanë mirëpritur masën, por i kanë bërë thirrje mbretit të ndërmarrë veprime të mëtejshme për t’u përballur me trashëgiminë e kolonializmit.

Gjatë shekullit të 17-të, Holanda pushtoi zona të mëdha territori në rajonet e njohura tani si Indonezia, Afrika e Jugut, Kuraçao dhe Guinea e Re, ku u bë një lojtar kyç në tregtinë transatlantike të skllevërve. Vitin e kaluar, kryebashkiaku i Amsterdamit Femke Halsema kërkoi zyrtarisht falje për rolin e qytetit në tregtinë e skllevërve. Lëvizja e vendosi atë në kundërshtim me kryeministrin Mark Rutte, i cili ka refuzuar thirrjet për një falje zyrtare nga shteti. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat