BE pajtohet për sanksione të reja kundër Rusisë

Evropë

BE pajtohet për sanksione të reja kundër Rusisë

Më: 14 mars 2022 Në ora: 20:54
Flamujt e Bashkimit Evropian.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për një pako të katërt me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, ka thënë zyra e presidencës franceze e bllokut evropian më 14 mars.

Presidenca franceze e BE-së ka thënë se pjesë e pakos ndaj Rusisë do të jetë heqja e statusit të “shtetit të favorizuar për tregti”, vendim që mund t’ia hapë derën bllokut për të vendosur tarifa të ashpra ndaj mallrave ruse dhe për ta renditur Rusinë në nivelin e njëjtë me Korenë Veriore dhe Iranin.

Rusia, vendi më i sanksionuar në botë

Rusia kapërceu Iranin, pasi pushtimi i paprovokuar që nisi në Ukrainë, u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Image

 

Diplomatët kanë thënë se sanksionet synojnë të përfshijnë edhe ndalesën në importet e çelikut dhe hekurit të Rusisë, ndalesë në eksporte të mallrave luksozë, përfshirë makinat mbi 50,000 euro dhe ndalesë në investime nëpër kompanive të naftës si dhe sanksione në sektorin e energjisë.

Pronari i klubit të futbollit, Chelsea, Roman Abramovich dhe 14 individë tjerë do të shtohen në listën e sanksioneve të bllokut evropian, kanë thënë diplomatët.

Britania tashmë ka sanksionuar Abramovichin javën e kaluar, duke ia bllokuar asetet dhe duke i vendosur ndalesë në udhëtime.

Sipas revistës Forbes, pasuria e Abramovichit kap vlerën e 7.2 miliardë dollarëve.

Pakoja e sanksioneve do të zbatohet zyrtarisht kur vendimi të publikohet në revistën e BE-së.

Presidenca franceze ka thënë se kjo gjë do të ndodhë “shpejt”.

Gati tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës tre javë më parë.

Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat