Amelia, 7 vjeçarja nga Kievi përdor famën e saj për të ndihmuar Ukrainën

Evropë

Amelia, 7 vjeçarja nga Kievi përdor famën e saj për të ndihmuar Ukrainën

Më: 1 prill 2022 Në ora: 23:56
Amelia

Një vajzë e vogël ukrainase, videoja e së cilës duke kënduar u bë virale ndërsa ishte në një vendstrehim në Kiev, po përdor famën e saj të re për të ndihmuar në grumbullimin e fondeve për vendin e saj. Shtatë vjeçarja Amelia Anisovych shkriu zemrat anembanë botës teksa këndoi këngën e njohur të Disney "Let it Go" nga filmi "Frozen". Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze u takua me Amelian dhe familjen e saj në Poloni, ku ata po jetojnë si refugjatë.

Kur Amelia 7-vjeçare filloi të këndonte në vendstrehimin kundër bombardimeve ruse në Kiev, dhoma e zhurmshme e nëndheshme e mbushur me njerëz që fshiheshin nga bombardimet ruse, ra plotësisht në heshtje.

E regjistruar dhe e postuar nga një fqinje e saj e quajtur Martha, videoja e Amelias duke kënduar një këngë nga filmi i Disney "Frozen" u bë pothuajse menjëherë virale.

“Doja t’i gëzoja njerëzit. Atyre iu pëlqeu shumë, të gjithë duartrokitën, dhe më përshëndetën”, thotë Amelia për Zërin e Amerikës.

Amelia e tregon këtë histori në një park të qetë pranë kryeqytetit të Polonisë, së bashku me nënën e saj, Lilia, dhe gjyshen, Viran. Duke ushqyer zogjtë në liqen, ajo kujton se si ushqente rosat në Ukrainë. Dhe se si kur filloi lufta, ajo shpesh shkonte në vendstrehim dhe duhej ta shikonte çdo hap që hidhte për shkak të minave të mundshme gjatë rrugës. Nëna e saj, Lilia, kujtoi momentin kur vendosi se duhej të largohej nga Kievi.

“Amelia filloi të kishte frikë të rrinte pranë dritareve. Dhe kur dilnim nga shtëpia për të shkuar në vendstrehim ku shkonim natën, ajo më pyeste në çdo hap, a mund ta hedh hapin dhe nëse isha e sigurt. Në atë moment vendosa, e kuptova se ishte fundi, ishte vija e kuqe. Nëse e kaloja atë dhe do të qëndronim në Kiev, ajo do të dëmtohej psikologjikisht, dhe mund të bëhej një fëmijë që ka frikë nga hija e saj”, shpjegon Lilia.

Amelia kujton udhëtimin nga Kievi me trenin e mbushur plotë me njerëz.

"Disa njerëz ishin në këmbë, disa ulur dhe pastaj fjetëm në dyshemenë e stacionit të trenit, na dhanë dyshekë të butë".

Nëna e saj thotë se njerëzit po i trajtojnë mirë këtu në Poloni. Familja prej katër anëtarësh jeton falas në një shtëpi pranë Varshavës. Amelia dhe vëllai i saj 15-vjeçar, Misha, mund të ndjekin shkollën këtu. Por nëna e tyre shpreson se ata do të jenë në gjendje të kthehen së shpejti në shtëpinë e tyre.

“Shpresoja të vija këtu për disa javë. Tani e kuptoj se mund të zgjasë më shumë, por kam ende shpresë se do të zgjasë vetëm për disa muaj. Kam frikë të imagjinoj se mund të jetë më gjatë. Nuk ka rëndësi se sa mirë dhe të sigurt jemi këtu - ndihem e huaj, do të doja të shkoja në shtëpinë time, do të doja të shihja burrin tim. Jam e shqetësuar për familjen time. Shpresoj që dikush do të dëgjojë lutjet e mia dhe lutjet e mijëra e miliona njerëzve dhe do të jem në gjendje të jem në shtëpi së shpejti”, thotë Lilia.

Amelia e ndjen se po rritet shpejt. Ajo duket jashtëzakonisht e maturuar teksa flet për vendin e saj.

“Duhet të flasim gjuhën tonë, jo rusisht, sepse armiku ynë flet rusisht, toka jonë është Ukraina. Duhet të flasim gjuhën ukrainase. Në Ukrainë po bëhet luftë sepse Rusia na sulmoi. Kam frikë për familjen time, babi është aty, gjyshi, gjyshja, kam frikë për të gjithë. Shumë fëmijë kanë vdekur. Unë do të doja të jetoja, shumë, dhe fëmijët e tjerë do të donin të jetonin”.

Nëna dhe gjyshja e Amelias po përpiqen të ruajnë një ndjenjë normaliteti për të dhe vëllain e saj të madh. Vitin e kaluar, Amelia filloi të shkonte në shkollë në Kiev. Tani një refugjate, ajo rifilloi studimet e saj në këtë qytet të vogël pranë Varshavës. Familja shpreson se lufta do të përfundojë dhe ata do të kthehen së shpejti.

Tani për tani, Amelia e vogël po përdor talentin e saj dhe famën e sapo krijuar duke kënduar në koncerte bamirësie në Poloni dhe duke mbledhur shumë fonde për të ndihmuar Ukrainën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat