Kancelari austriak paralajmëron për ofensivë madhore ruse

Evropë

Kancelari austriak paralajmëron për ofensivë madhore ruse

Më: 12 prill 2022 Në ora: 20:22
Karl Nehammer

Kancelari i Austrisë zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë të hënën, mes paralajmërimeve se Kremlini po përgatitet të nisë një ofensivë madhore në rajonin lindor të Donbasit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton se kancelari Karl Nehammer është udhëheqësi i parë perëndimor që takohet me Vladimir Putinin që kur presidenti rus nisi agresionin ndaj Ukrainës në shkurt.

Ai tha se bisedimet në Moskë ishin "shumë të drejtpërdrejta, të hapura dhe të vështira".

"Në përgjithësi nuk dola me përshtypje optimiste nga kjo bisedë me Presidentin Putin. Ofensiva (në Ukrainën lindore) me sa duket po përgatitet në një shkallë masive", tha kancelari Nehammer.

Austria nuk është anëtare e NATO-s. Por ajo ka vendosur sanksione të gjera ndaj Rusisë së bashku me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan në Luksemburg të hënën për të diskutuar mbi mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën. Shefi i politikës së jashtme të bllokut tha se agresioni i Rusisë po shkaktonte mungesa ushqimore.

"Është ushtria ruse ajo që po shkakton mungesa ushqimesh dhe Afrika përbën veçanërisht një shqetësim madhor, sepse ata janë veçanërisht të ekspozuar ndaj krizës së ardhshme të ushqimit."

Zyrtarët e BE-së patën gjithashtu bisedime me prokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan. BE dhe ICC kanë dërguar hetues në Ukrainë për të mbledhur prova.

Ukraina thotë se Rusia ka kryer dy mijë krime lufte në territorin e saj – përfshirë masakra civile në Buça dhe qytete të tjera që ishin pushtuar nga forcat e Kremlinit, si dhe përdhunime dhe tortura masive. Moska i mohon akuzat pavarësisht provave në rritje, përfshirë varrezat masive.

Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe do të jetë e vështirë të ndiqen penalisht krimet individuale të luftës në fushën e betejës, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare Luis Viveros.

"Ka shumë prova dhe mund edhe të bëhet (ndjekja penale). Por Zyra e Prokurorit të Gjykatës Penale duhet të veprojë siç nuk ka vepruar kurrë në të kaluarën", thotë ai.

Vladimir Putin duhet të përballet me drejtësinë ndërkombëtare, thotë prof. Viveros.

"Mendoj se mënyra për ta vënë atë para përgjegjësisë do të ishte krijimi i një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimin e agresionit."

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy foli para ligjvënësve të Koresë së Jugut të hënën, duke paralajmëruar se Rusia po përgatit një ofensivë të re në lindje.

"Okupatorët kanë grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë dhe një sasi të madhe pajisjesh në përpjekje për të goditur përsëri", tha ai.

Ndërkohë, Rusia të hënën paralajmëroi Suedinë dhe Finlandën kundër anëtarësimit në NATO. Të dyja vendet kanë zhvilluar bisedime rreth anëtarësimit në aleancë pas sulmit rus ndaj Ukrainës. Uashingtoni tha se kërkesat e tyre për anëtarësim mund të dorëzohen që në qershor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat