Megjithë fitoren e Macronit, opinioni francez më i ndarë se kurrë

Evropë

Megjithë fitoren e Macronit, opinioni francez më i ndarë se kurrë

Më: 25 prill 2022 Në ora: 21:00
Emmanuel Macron dhe Marine Le Peni

Në raudin e dytë të zgjedhjeve për president të Francës, Emmanuel Macron fitoi me 58.54 për qind të votave, duke mposhtuar rivalen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen e cila mori 41.46 për qind të votave.

Por, qytetarë dhe analistë thonë se megjithë fitoren e qartë të zotit Macron në raudin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, opinioni francez ngelet më i ndarë se kurrë.

Mëngjesin e sotëm ndërsa shkonin në punë, disa francezë shprehën nervozizëm, disa pritshmëri të larta, ndërsa të tjerë thonë se ndihen të çliruar pas fitores së Emmanuel Macronit kundër rivales së tij nacionaliste në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Megjithatë, numri i votuesve me humor festiv duket të jetë i vogël.

“Shumë njerëz nuk ndihen të përfaqësuar”, thotë 63 vjeçari Jean Mouette, ndërsa shton se organizimi i më shumë tubimeve me qytetarë, mbajtja e referendumeve dhe një qeveri e hapur ndaj opozitës, janë disa nga reformat e nevojshme për të përmrësuar sistemin zgjedhor francez.

Mbi një e katërta e votuesve abstenuan dhe me 41.4 për qind të votave të fituara nga kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, duket se, politika kundër të huajve dhe pakënaqësitë me sistemin, janë ngulitur edhe më shumë në psikikën, mendimin dhe politikën franceze.

“Dallimi mes saj dhe partisë së zotit Macron po ngushtohet. Partia Nacionaliste po rritet. Kjo nënkupton se francezët janë të shqetësuar për jetën e tyre, fuqinë e tyre blerëse dhe sigurinë. Kjo është normale dhe legjitime. Por unë mendoj se platforma e zonjës Le Pen është shumë ekstreme dhe përçarëse”, thotë Valerie Jacquet, mësuese e muzikës.

Ndonëse vlerëson mënyrën se si presidenti francez menaxhoi pandeminë dhe luftën në Ukrainë, 56 vjeçarja thotë se vota e saj për zotin Macron ishte në fakt votë kundër zonjës LePen.

Drejtori i komanisë kërkimore IPSOS, Brise Teinturier thotë se fitorja e zotit Macron me 58.54 për qind të votave është një tregues se shoqëria franceze është gjithnjë e më e ndarë.

“Në të njëjtën kohë kemi fitoren e qartë të zotit Macron – sidomos duke e ditur se ai është president në detyrë- por në anën tjetër kemi mbi dy milionë vota shtesë për zonjën Le Pen, krahasuar me vitin 2017. Është një humbje me nder. Nuk është poshtërim”, thotë ai.

Familja Le Pen filloi të garonte në zgjedhje presidenciale në vitin 1974, në atë kohë babai i Marine, Jean-Marie. Por doktrina e tyre se Franca multikulturore dhe multiracore do të ishte më e pasur, më e sigurt dhe disi më franceze nëse do të ishte më pak e hapur ndaj të huajve dhe botës së jashtme, kurrë nuk ka pasur mbështetje kaq të madhe.

Sidoqoftë, shumë shpresojnë që në mandatin e tij të dytë presidenti francez Macron do të angazhohet për më shumë drejtësi sociale, më pak varfëri dhe rritje të pagave – një vlerësim për votuesit e tij majtistë që votuan zotin Macron për t’i pamundësuar fitoren zonjës Le Pen.

Një mbështetës i fuqishëm i shpirtit sipërmarrës, zoti Macron lehtësoi rregullat e punësimit, pushimin nga puna, si dhe kufizoi përfitimet nga papunësia. Kritikët e akuzojnë atë për dëmtimin e sistemit që mbronte punonjësit.

Por pas përhapjes së pandemisë ai pranoi rëndësinë e ndërhyrjes së shtetit për të ndihmuar ekonominë dhe shpenzoi më shumë para publike në mbështetje të punonjësve dhe bizneseve.

Zoti Macron synon t’i kthehet programit të tij në politikën e brendshme dhe të jashtme, por në qershor Franca përballet me zgjedhjet e rëndësishme parlamentare, ku atij do t’i duhet të luftojë për të ruajtur shumnicën në parlament.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat