​Ukraina akuzon Rusinë: Po vazhdon të na i rrëmbejë fëmijët tanë

Evropë

​Ukraina akuzon Rusinë: Po vazhdon të na i rrëmbejë fëmijët tanë

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Kievi zyrtar akuzoi sot Moskën për organizimin e birësimit të paligjshëm të një numri të madh fëmijësh ukrainas të sjellë në Rusi nga territori i pushtuar.

Ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë tha se Rusia vazhdon të rrëmbejë fëmijë nga territori ukrainas dhe të organizojë birësimin e tyre të paligjshëm në familjet ruse.

"Më shumë se 1000 fëmijë nga Mariupol", një qytet port në Ukrainën juglindore të pushtuar nga ushtria ruse, u dorëzuan ilegalisht të huajve në Tyumen, Irkutsk, Kemerovë dhe Territorin Altai" në Siberi”, tha ministria, duke cituar informacionin e lëshuar nga autoritetet në Krasnodar, një qytet në jugperëndim të Rusisë, jo shumë larg Ukrainës.

Përveç kësaj, më shumë se 300 fëmijë ukrainas janë vendosur në institucione speciale në Krasnodar, thuhet në deklaratë.

Veprime të tilla të Rusisë janë një shkelje serioze e Konventës së Gjenevës për mbrojtjen e civilëve në luftë dhe Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, paralajmëron ministria.

"Të gjithë fëmijët ukrainas që u sollën ilegalisht në territorin rus duhet t'u kthehen prindërve ose kujdestarëve të tyre ligjorë," thuhet në deklaratë.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, Kievi ka akuzuar Moskën se i detyron ukrainasit, veçanërisht fëmijët, të largohen nga zonat e pushtuara për në Rusi, në vend të pjesëve të tjera të Ukrainës, të cilat autoritetet ukrainase e krahasojnë me deportime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat