Rusët të ndarë për Gorbaçovin; disa e lëvdojnë, të tjerë e dënojnë

Evropë

Rusët të ndarë për Gorbaçovin; disa e lëvdojnë, të tjerë e dënojnë

Më: 2 shtator 2022 Në ora: 16:34
Në Fondacionin Gorbaçov

Vdekja e udhëheqësit sovjetik, Mikhail Gorbaçov, erdhi në një moment kyç në historinë e Rusisë. Shoqëria ruse është e ndarë për sa i përket sulmit në Ukrainë dhe analistët thonë se qeveria e Vladimir Putinit po bëhet gjithnjë e më shtypëse.

Mikhail Gorbaçovi donte të modernizonte Bashkimin Sovjetik, të reformonte strukturat e tij nëpërmjet demokracisë dhe tregut të lirë. Por reformat e tij u bënë një katalizator për forcat që dëshironin ndryshimin dhe sollën përfundimisht shpërbërjen e perandorisë komuniste në Evropë.

Vdekja e tij, në moshën 91-vjeçare, vjen në një Rusi sërish autoritare, të përfshirë në një luftë me vendin fqinj, Ukrainën. Dhe një Rusi që në shumë drejtime refuzon atë çfarë përfaqësonte Gorbaçovi, thonë disa vëzhgues.

“Ka një paradoks këtu: Gorbaçovi na dha të gjithëve lirinë, njerëzve që sot i përkasin brezit më të vjetër, si dhe fëmijëve të tyre. Por, ata e urrejnë atë për këtë liri të tyren. Ky është një largim klasik nga liria. Kjo është një urrejtje klasike. Ne ishim aq madhështorë, por ai e prishi këtë! Ai na hapi një dritare drejt botës, por ne nuk na duhet kjo botë!”, thonë analisti politik Andrey Kolesnikov.

Vdekja e Gorbaçovit ka qenë një subjekt i pakëndshëm për Kremlinin dhe deklaratat e bëra për vdekjen e tij ishin me tone të ulëta. Gorbaçovi simbolizon hapjen e Rusisë ndaj botës, ndërkohë që qeveria e Vladimir Putinit po orienton Rusinë pikërisht në drejtimin e kundërt.

Në rrugët e Moskës, reagimet janë të ndryshme, që nga nderimi dhe vlerësimi nga ata që e falenderojnë Gorbaçovin për shërbimin e tij për lirinë, dhe deri tek ata që e konsiderojnë atë një tradhtar të Bashkimit Sovjetik dhe më konkretisht të Rusisë, duke e fajësuar atë për përhapjen e krimit të organizuar, paqëndrueshmërinë ekonomike dhe kaosin politik në vitet që pasuan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në 1991.

“Mikhail Gorbaçovi është një njeri i madh që pati një punë shumë të komplikuar gjatë asaj kohe. Ai mori përgjegjësinë që një vend si Bashkimi Sovjetik të transformohej, siç e kërkonte ajo kohë”, thotë Yuri, banor i Moskës.

“Ai tradhëtoi të gjithë vendin, rusë dhe sovjetikë. Ai shembi një vend të madh”, thotë Aleksi.

“Nuk jam dakort me mënyrën se si ndoqi politikën e tij në vendin tonë dhe e solli shtetin drejt kolapsit”, thotë Maria.

“Ai është personi që i solli lirinë vendit tonë; i vetmi ndër të gjithë qeveritarët tanë që u përpoq të bënte diçka për ta zëvendësuar diktaturën e përhershme në këtë vend, me diçka më të mirë”, thotë Sergey.

Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, Gorbaçovi ishte i sëmurë, ndërkohë që nën drejtimin e Vladimir Putinit, Rusia hyri në luftë dhe bëri hapa pas drejt autoritarizmit, duke e errësuar kështu trashëgiminë e Gorbaçovit për arritjen e paqes dhe si një reformator i orientuar drejt lirisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat