​Pesë persona dënohen në Bjellorusi për tentim grusht-shteti

Evropë

​Pesë persona dënohen në Bjellorusi për tentim grusht-shteti

Më: 5 shtator 2022 Në ora: 19:04
Alexander Lukashenko

Pesë persona, duke përfshirë kreun e një partie politike dhe një avokat amerikan, u dënuan me disa vite burg në Bjellorusi për "tentativë grusht-shteti".

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha në prill të vitit 2021 se ai pengoi përpjekjen e planifikuar nga SHBA dhe të cilën ai e përshkroi si një "atentat" ndaj tij dhe familjes së tij.

Sipas organizatës kryesore bjelloruse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Vyasna, politologu dhe kritiku letrar Aleksander Feduta, kreu i Partisë së Frontit Popullor Rigor Kastusev dhe avokati Yuri Zyankovich, i cili gjithashtu ka nënshtetësi amerikane, janë në mesin e të dënuarve.

Zyankovich u dënua me 11 vjet burg për organizimin dhe drejtimin e një grupi ekstremist dhe Feduta dhe Kastusev u dënuan me nga 10 vjet burg pasi u shpallën fajtorë për komplot për të "marrë pushtetin me masa jashtëkushtetuese". Dy të tjerë u dënuan me dy vjet e gjysmë burg.

Një nga dëshmitarët në proces ishte Roman Protasevich, një gazetar i opozitës i arrestuar në maj 2021, kur Bjellorusia devijoi një aeroplan tregtar që fluturoi mbi territorin e saj. Ai tha se mori pjesë përmes video-lidhjes në takimet me të akuzuarit për komplotin e supozuar.

Alexander Feduta tha se "plani për grusht-shteti" u iniciua nga një oficer i shërbimit sekret bjellorus KGB, i cili u infiltrua në grup.

“Unë besova në komplot sepse doja të besoja në të. Një njeri i ndershëm nuk mund ta pengonte veten të indinjohej nga ajo që po ndodh në vend”, tha ai në gjykatë, duke pranuar se “ka marrë pjesë”.

Çështja shpërtheu disa muaj pas demonstratave të mëdha për rizgjedhjen e Lukashenkos president në zgjedhjet e gushtit 2020, të cilat konsiderohen të manipuluara. Autoritetet shtypën ashpër protestat dhe e detyruan opozitën të internohej jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat