Instituti Ifo: Recesioni e pret Gjermaninë në vitin 2023

Evropë

Instituti Ifo: Recesioni e pret Gjermaninë në vitin 2023

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Ekonomia e Gjermanisë do të tkurret në vitin 2023 pasi një rritje dramatike e kostove të energjisë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë ka zbehur perspektivat për rimëkëmbjen nga kriza pandemike, njoftoi sot Instituti Ifo.

Në qershor, instituti parashikoi se ekonomia do të rritet me 3.7 për qind vitin e ardhshëm dhe tani parashikon që aktiviteti të bjerë me 0.3 për qind.

Në të njëjtën kohë, ai rriti ndjeshëm parashikimin e inflacionit për vitin 2023, me gjashtë pikë përqindjeje, në 9.3 për qind.

Këtë vit, sipas vlerësimeve të fundit, ekonomia pritet të rritet 1.6 për qind. Në qershor, instituti parashikoi një normë rritjeje 2.5 për qind. Inflacioni pritet të arrijë në 8.1 për qind këtë vit dhe të jetë 1.3 pikë përqindje më i lartë se ai që ishte parashikuar në qershor.

“Furnizimi i reduktuar i gazit nga Rusia gjatë verës dhe rritja drastike pasuese e çmimeve po shkatërron rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë së koronavirusit”, tha Timo Wollmershaeuser, kreu i parashikimeve ekonomike në Ifo.

Tremujori i parë 2023 do të jetë veçanërisht i vështirë për konsumatorët pasi furnizuesit e energjisë rregullojnë çmimet për shkak të kostove të larta të prokurimit, të cilat do ta shtyjnë inflacionin në rreth 11 për qind, tha Instituti Ifo.

Kjo do të nënkuptojë ulje të fuqisë blerëse të familjeve, paralajmëron Ifo, duke shtuar se paketa e qeverisë do ta zbusë goditjen, por nuk do ta amortizojë plotësisht.

"Humbja e fuqisë blerëse, e matur nga rënia e pagave reale për frymë me rreth tre për qind këtë vit dhe vitin e ardhshëm, është më e madhja që kur sistemi aktual i llogarive kombëtare u prezantua në vitin 1970," tha Wollmershaeuser.

Gjatë vitit të ardhshëm rritja e çmimeve duhet të dobësohet gradualisht, duke supozuar se do të ketë mjaftueshëm gaz gjatë dimrit, vëren Ifo, duke shtuar se çmimet e produkteve energjetike duhet të fillojnë të bien më së voni në pranverën e vitit 2023.

Në vitin 2024, ekonomia pritet të rritet 1.8 për qind dhe çmimet 2.5 për qind, ka llogaritur instituti.

Ekonomia gjermane pothuajse ngeci në tremujorin e dytë, e mbështetur nga shpenzimet e familjeve dhe të qeverisë. Në tre muajt e parë, aktiviteti është rritur 0.8 për qind krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat