“Ne do t’i mbijetojmë shantazhit të Rusisë dhe dimrit të gjatë”, thotë Sanna Marin para eurodeputetëve

Evropë

“Ne do t’i mbijetojmë shantazhit të Rusisë dhe dimrit të gjatë”, thotë Sanna Marin para eurodeputetëve

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 18:26
Sanna Marin

Bashkimi Evropian do t’i mbijetojë “shantazhit të Rusisë” për furnizimet me energji dhe “dimrit të gjatë” të afërt, por vetëm nëse blloku ruan “unitetin, vendosmërinë dhe guximin e tij”, tha kryeministrja finlandeze Sanna Marin.

“Rusia mund të na sfidojë, të na shantazhojë dhe të na kërcënojë, por ne nuk do të dorëzohemi”, citohet të ketë thënë ajo në Parlamentin Evropian në Strasburg, duke folur në finlandisht.

“Veprimet e Rusisë e kanë bashkuar Perëndimin si kurrë më parë, ndërsa Rusia është më e vetmuar se kurrë”.

Gjatë fjalimit të saj para seancës plenare, Marin prezantoi një pamje të zymtë të sfidave me të cilat përballet BE, duke përfshirë luftën në Ukrainë, përkeqësimin e krizës energjetike, inflacionin në rritje, një recesion gjithnjë e më të mundshëm, fatkeqësitë natyrore – dhe jo vetëm.

“Megjithatë, edhe në momentet më të errëta ka shpresë”, vuri në dukje ajo.

“Ukraina do ta fitojë luftën me mbështetjen tonë. Nuk ka alternativë tjetër. Në zemrat tona, ukrainasit e kanë fituar tashmë”.

Marin tha se forca më e madhe e BE-së – dhe e vetmja rrugëdalje nga krizat e mbivendosura – ishte besimi dhe uniteti i ndërsjellë midis 27 vendeve anëtare.

“Shantazhimi i shoqërive tona nëpërmjet furnizimit me energji është një mënyrë për të zbehur mbështetjen evropiane për Ukrainën dhe për të prishur unitetin tonë. Putini nuk duhet të ketë sukses në këtë”, tha ajo.

“Me luftën e saj, Rusia po shkatërron ekonominë dhe të ardhmen e saj. Rusia ka thyer besimin tonë. Edhe sikur lufta të përfundonte sot, besimi ynë nuk do të rikthehej për një kohë të gjatë”.

Që kur shpërtheu lufta në fund të shkurtit, Marin ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Kremlinit, duke bërë thirrje për sanksione dhe një tranzicion të shpejtë larg nga karburantet fosile ruse.

Marin ka udhëhequr gjithashtu ofertën e Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, një proces që, pasi të përfundojë, do të rivizatojë hartën e aleancës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat