​Hungaria premton përmbushjen e detyrimeve për zhbllokimin e fondeve nga BE

Evropë

​Hungaria premton përmbushjen e detyrimeve për zhbllokimin e fondeve nga BE

Më: 18 shtator 2022 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Hungaria ka premtuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndaj Komisionit Evropian në mënyrë që të lirojë fondet e Bashkimit Evropian pasi Komisioni Evropian propozoi pezullimin e rreth 7.5 miliardë eurove për Budapestin për shkak të korrupsionit.

Ministri hungarez i Zhvillimit Tibor Navracis, i cili është përgjegjës për negociatat me BE, shprehu shpresën se masat e Budapestit do të jenë të mjaftueshme për të bindur Komisionin Evropian se do të zbatohen rregulloret e duhura për të mbrojtur fondet e bllokut.

Më herët, Komisioni Evropian rekomandoi pezullimin e rreth 7.5 miliardë eurove nga fondet e destinuara për Hungarinë për shkak të shqetësimeve rreth rënies së standardeve demokratike dhe keqmenaxhimit të mundshëm të parave të BE-së.

Komisionari evropian për Buxhet Johannes Hahn, pas takimit të komisionarëve evropianë në Bruksel, tha se Hungaria ka afat deri më 19 nëntor për t'iu përgjigjur shqetësimeve.

Ai përshëndeti ofertën e Hungarisë për zgjidhjen e problemit, duke vlerësuar se procedurat e propozuara “shkojnë në drejtimin e duhur”.

Gergely Gulyas, kreu i zyrës së kryeministrit Viktor Orban, tha të shtunën se administrata do të paraqesë projektligje të reja në parlament javën e ardhshme për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes me Komisionin Evropian dhe për të liruar fondet e BE.

Ai theksoi se administrata do t'i kërkojë parlamentit miratimin e projektligjit me një proces të përshpejtuar në mënyrë që masat e reja të hyjnë në fuqi në nëntor.

Fondet e BE-së nuk janë të disponueshme për Hungarinë për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi standardet demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat