Tre të vdekur pas një shpërthimi në një pikë karburanti në Irlandë

Evropë

Tre të vdekur pas një shpërthimi në një pikë karburanti në Irlandë

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 07:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi në një pikë karburanti në Irlandë. Ngjarja e rëndë ndodhi në një pikë të “Applegreen”,një kompani irlandeze e themeluar në vitin 1992 që operon me një numër pikash karburanti në Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.

Pika ishte në fshatin Creeslough të County Donegal. Po ashtu, është raportuar se një numër i madh personash kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Policia irlandeze, e njohur me emrin Gardai, tha se ende po vijon operacioni për të kërkuar njerëz që mund të ishin nën rrënoja pas shpërthimit të fuqishëm.

Policia nuk ka arritur të japë më shumë informacion mbi viktimat.

Në një deklaratë në Twitter, kompania “Applegreen” tha se lajmi për humbje jetësh ishte i tmerrshëm.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet dhe miqtë e viktimave, me ata që janë plagosur dhe me popullin e Creeslough”, shkroi kompania në Twitter.

Në një deklaratë, Spitali Universitar Letterkenny tha se kishte të bënte me "një incident serioz që përfshin njerëz të shumtë të plagosur e që kërkojnë vëmendje të menjëhershme".

Spitali tha se kishte kaluar në "gatishmëri të madhe emergjente" ndërsa u kërkoi njerëzve që kanë shqetësime të tjera të mos shkojnë në Urgjencë nëse rasti i tyre nuk është vërtetë një rast urgjent duke kontaktuar së pari doktorin e përgjithshëm.

Shërbimet e urgjencës nga Irlanda e Veriut kanë ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Creeslough është një fshat i vogël në Republikën e Irlandës dhe është rreth 24 kilometra nga Letterkenny dhe rreth 50 kilometra nga kufiri me Irlandën e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat