Gjykata Kushtetuese: Qeveria duhet të informojë më shpejtë Bundestagun

Evropë

Gjykata Kushtetuese: Qeveria duhet të informojë më shpejtë Bundestagun

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 09:00
Foto ilustrim

Qeveria gjermane duhet të përfshijë Bundestagun gjerësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur edhe në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë evropiane. Kjo del nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese Gjermane.

Konkretisht fjala ishte për dy ngjarje: operacionin kundër kontrabandistëve në Mesdhe në 2015 dhe bashkëpunimin me Turqinë për çështjet e migracionit, po në vitin 2015. Në të ashtuquajturën krizë të refugjatëve, qeveria e asaj kohe ka shkelur dy herë të drejtat e informacionit të Bundestagut (parlamentit gjerman), konstatoi Gjykata Kushtetuese Federale në Karlsruhe pas ankesave të grupeve parlamentare të Ambjentalistëve dhe të partisë "E Majta". Të dy proceset kishin të bënin me informimin në kohë të Bundestagut lidhur me çështjet e BE-së dhe konkretisht në fushën e politikës së përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Qeveria gjermane ka qenë e mendimit se në këtë kontekst vlejnë rregulla të caktuara.

Operacioni "Sophia"

Në njërën anë fjala ishte për një projekt-koncept për operacionin "Sophia" kundër kontrabandistëve të njerëzve në Mesdhe, të cilit i kishte përfunduar afati. Në maj 2015 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së vendosën të rrisin praninë ushtarake në Mesdhe për të luftuar kontrabandën me njerëz. Pas vendimit për "Sophian" vetëm anëtarët e komisioneve të caktuara të Bundestagut mundën të lexonin dokumentin në të ashtuquajturën zyrë sekrete të mbrojtjes. Planet nuk iu përcollën gjithë Bundestagut.

Migrimi përmes Turqisë në BE

Rasti i dytë kishte të bënte me një letër nga kryeministri i atëhershëm turk Ahmet Davutoglu drejtuar kancelares së atëhershme Angela Merkel për bashkëpunimin me BE-në në çështjet e migracionit. E Majta e kishte kërkuar letrën, por kjo u refuzua me arsyetimin se ishte letër personale drejtuar kancelares. Senati i Dytë i Gjykatës Kushtetuese Gjermane arriti në përfundimin se nuk duhej refuzuar aksesi me këtë arsyetim të përgjithshëm.

Gjyqtarët në Karlsruhe arritën në përfundimin se parimisht detyrimi i qeverisë për të informuar Bundestagun vlen edhe për politikat e përbashkëta të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Ky detyrim përmbushet vetëm nëse të gjithë anëtarët e parlamentit marrin informacionin. Bundestagu në thelb e kryen funksionin e tij përfaqësues për publikun i gjithi dhe jo përmes disa deputetëve të caktuar.

Informacionet gjithashtu nuk duhet t'u nënshtrohen rregullave të fshehtësisë. Përpara se të merren vendime të një rëndësie të konsiderueshme, publikut duhet t'i jepet mundësia për të formuar një opinion, deklaroi gjykata. Përfaqësuesit e popullit duhet të debatojnë publikisht për masat e planifikuara.

Megjithatë gjyqtarët lejuan disa përjashtime, në rastet kur është fjala për të mirën e shtetit apo thelbin e vetëpërgjegjësisë ekzekutive, që është e mbrojtur nga qasja e parlamentit. Nëse qeveria federale i referohet kësaj, ajo duhet t'ia shpjegojë Bundestagut këtë dhe ta arsyetojë vendimin.

Neni 23 i Kushtetutës

Në nenin 23 të Kushtetutës thuhet, se Parlamenti dhe Këshilli Federal janë të përfshirë në çështjet që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian. Dhe më tej: "Qeveria duhet të informojë Bundestagun dhe Këshillin Federal gjëresisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur." Në fushën e ndjeshme të politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së përbashkët, kjo ka qenë prej vitesh shkak për polemika./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat