Gjykata holandeze konfirmon se rrëzimi i avionit civil “MH17” u shkaktua nga një raketë ruse

Evropë

Gjykata holandeze konfirmon se rrëzimi i avionit civil “MH17” u shkaktua nga një raketë ruse

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 15:13
Seanca e gjyqit mbi fluturimin MH17 të Malaysia Airlines në gjykatën e sigurisë së lartë në aeroportin Shiphol, afër Amsterdamit, më 17 nëntor.

Avioni civil i linjës malajziane “Mh17” u rrëzua nga një raketë e tipit “Buk” e lëshuar nga Pervomaisku, një lokalitet në rajonin e Luganskut. Në kohën e rrëzimit territori ndodhej nën kontrollin e militantëve separatistë pro-rusë.

Kjo është pjesa e parë e vendimit përfundimtar për rrëzimin e avionit malajzian më 14 korrik 2014, lëshuar nga gjykata holandeze e ngritur pranë aeroportit Shiphol të Amsterdamit.

“Fragmentet e raketës Buk të gjetura në trupat e viktimave janë provë e pakundërshtueshme se ishte pikërisht kjo raketë që shkaktoi rrëzimin e fluturimit”, shpjegoi gjykata.

Tetë vjet më parë, fluturimi MH17 i “Malaysian Airlines” u rrëzua ndërsa fluturonte mbi Ukrainën lindore.

Boeing 777 po transportonte 283 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit ndërsa ata udhëtonin nga Amsterdami për në Kuala Lumpur më 17 korrik 2014.

Aeroplani u godit nga një raketë ruse tokë-ajër dhe vrau të gjithë personat në bord.

Në qershor 2019, katër persona - tre rusë dhe një ukrainas - u akuzuan për vrasje dhe shkatërrim të një avioni civil.

Gjyqi për vrasjen e tyre filloi në mars 2020 në Holandë dhe të enjten, më 17 nëntor u lexua vendimi për personat e akuzuar për përfshirje në rrëzimin e “MH17”-ës.

Në mars të këtij viti, Australia dhe Holanda nisën procedurat ligjore në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil kundër Rusisë për rolin e saj në rrëzimin e “MH17”-ës.

Vendet thonë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse sipas nenit 3 të Konventës së Çikagos, i cili dekreton se shtetet "duhet të përmbahen nga përdorimi i armëve kundër avionëve civilë në fluturim".

Ka disa procese të tjera ligjore në vazhdim që janë iniciuar nga shtete ose individë brenda Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat