Komisioni Evropian po shqyrton vendosjen e një ndalimi për investimet e reja në sektorin e minierave rus, si pjesë e një grupi të ri sanksionesh që synojnë të minojnë aftësinë e Kremlinit për të financuar luftën kundër Ukrainës, raporton sot Financial Times.
Gazeta shkruan, duke cituar burime pranë Komisionit Evropian, se ndalimi do të ishte pjesë e paketës së nëntë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, të cilën zyrtarët planifikojnë ta diskutojnë me vendet anëtare në ditët në vijim.
Zyrtarët e BE shpresojnë të arrijnë një marrëveshje mbi ndalimin e ri deri në fund të javës së ardhshme, njoftoi gazeta.
Financial Times shkruan se paketa e re e sanksioneve mund të përfshijë gjithashtu kontrolle të eksportit mbi teknologjitë civile që Brukseli beson se Rusia po përdor për të mbështetur fabrikat e saj të armëve, një ndalim të transaksioneve me tri banka të tjera ruse dhe sanksione të synuara kundër 180 personave të tjerë.