​Historiani serb: Nuk kemi mbetur as 5 milionë, pas 50 vitesh nuk do të jemi më

Evropë

​Historiani serb: Nuk kemi mbetur as 5 milionë, pas 50 vitesh nuk do të jemi më

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 14:50
Historiani serb Milan St. Protiq

Historiani serb Milan St. Protiq në një emision në Serbi ka thënë se e vetmja mundësi e Serbisë është të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE), porse nuk është i sigurt se edhe kjo është e mjaftueshme për mbijetesën e njerëzve në këtë vend.

“Jam i bindur se e vetmja shpresë për Serbinë, nëse ekziston fare, është të bëhet anëtare e plotë e BE-së. Është e vetmja gjë që mund të na ndihmojë në këtë situatë tragjike në të cilën ndodhemi, megjithëse nuk jam i sigurt se a mundet edhe kjo që të na ndihmojë. Bëhet fjalë për mbijetesën e këtij kombi, për 50 vjet nuk do të jemi. Do të jemi një milion, një milion e gjysmë. Etnologët në botë do të merren me ne. A do ta fusim kokën në rërë dhe të shtiremi se asgjë nuk po ndodh? Sot në Serbi nuk ka më shumë se 5 milionë serbë”, tha Protiq.

Ai po ashtu ka theksuar se qëndrimi ndaj serbëve në Kosovë është hipokrit, shkruajnë mediat serbe.

I pyetur për deklaratën e tij se gjatë një vizite i ka këshilluar serbët në Kosovë që “të shpërngulen në Serbi”, Protiq ka theksuar se “në Kosovë po pësojnë disa njerëz të pafajshëm, të cilët ne i përdorim si argument për mbrojtjen e territorit”.

“Dhe ne e dimë shumë mirë se kjo nuk do të ndryshojë asgjë, përkundrazi”, tha ai, duke shtuar se është bërë “hipokrizi ndaj njerëzve tanë (serbë) për të cilët gjoja kujdesemi”.

"Ne veshim kostume të shtrenjta, futemi në limuzina të shtrenjta, shkojmë atje për disa orë dhe u japim disa dhurata, biskota dhe çokollata, dhe mendojmë se kemi bërë diçka. Për mua, ky është niveli më i lartë i hipokrizisë kombëtare. E dimë që nuk do të bëhen kurrë më mirë”, tha ai.

Ai ka dhënë edhe mendimin e tij nëse anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara do të ndikojë në jetën e serbëve në Kosovë.

“A është Kosova anëtare e Kombeve të Bashkuara apo jo, a do të reflektojë kjo disi në jetën e serbëve në Kosovë? Jo. Është teke e Beogradit që të mos i lërë të hyjnë, dhe teke e shqiptarëve që të hyjnë. Është teke e Perëndimit për të përfunduar atë që filloi," vuri në dukje Protiq.

Ai tha se institucioneve në Serbi i intereson vetëm territori dhe jo fati i popullit serb. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat