Pas mbylljes së aeroportit të Shën Petersburgut, Rusia thotë se ishte duke bërë ushtrime

Evropë

Pas mbylljes së aeroportit të Shën Petersburgut, Rusia thotë se ishte duke bërë ushtrime

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 14:06
Foto ilustrim

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të ka kryer ushtrime për mbrojtje ajrore që kanë përfshirë aeroplanë pengues, pasi aeroporti “Pulkovo” në Shën Petersburg u detyrua që t’i pezullonte të gjitha fluturimet për një orë të martën.

Autoritetet lokale në qytetin e dytë më të madh rus njoftuan për mbylljen e aeroportit pa dhënë arsye për pezullimin e fluturimeve. Sipas disa raportimeve të pakonfirmuara të medieve, një objekt i paidentifikuar ishte parë në zonë, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtarët lokalë thanë më vonë të martën se fluturimet kanë rifilluar dhe se ndalimi i përkohshëm i qarkullimit në ajër brenda një rrezeje prej 200 kilometrash është shfuqizuar nga ora 12 sipas kohës lokale.

Në një deklaratë të publikuar rreth një orë pas rifillimit të fluturimeve, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka qenë duke kryer ushtrime, në të cilat është përfshirë dislokimi i aeroplanëve luftarakë në hapësirën ajrore perëndimore të Rusisë.

“Gjatë ushtrimit, forcat e mbrojtjes ajrore punuan për zbulimin, pengimin dhe identifikimin e caqeve, si dhe ndërveprimin me shërbimet emergjente dhe agjencitë e sundimit të ligjit”- citohet të ketë thënë kjo ministri.

Autoritetet nuk kishin njoftuar paraprakisht për këto ushtrime dhe e shkaktuan devijimin e disa fluturimeve dhe ndryshim të orareve për pjesën tjetër të ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat