​Përfaqësueset femra të agjencive të lajmeve bëjnë thirrje për barazi gjinore në udhëheqjen e EANA

Evropë

​Përfaqësueset femra të agjencive të lajmeve bëjnë thirrje për barazi gjinore në udhëheqjen e EANA

Më: 8 mars 2023 Në ora: 15:01
Agjencia kroate e lajmeve Hina

Agjencia kroate e lajmeve Hina priti të mërkurën në Zagreb përfaqësues femra të agjencive evropiane të lajmeve që janë anëtare të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), takim i cili rezultoi në miratimin e një deklarate që bën thirrje për barazi gjinore në bordet e organizatave mediatike dhe në vet EANA.

EANA u themelua në vitin 1956 dhe bashkon 33 agjenci lajmesh. Përfaqësuese të nëntë agjencive të lajmeve u mblodhën në Zagreb të mërkurën, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duke inicuar një grup pune për fuqizimin e grave në organizatat mediatike dhe në vetë EANA.

Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe drejtoresha e KosovaPress, Suzana Hashani – Rakovica. Agjencia më e madhe e lajmeve në Kosovë u bë pjesë e EANA-s në shtator të vitit të kaluar.

Presidenti i EANA-s, Clemens Pig nga agjencia austriake e lajmeve APA, tha se qëllimi i presidencës aktuale të EANA-s është rritja e pranisë së grave në udhëheqjen e organizatës.

Përfaqësueset femra, kryesisht nga Evropa Jugore dhe Lindore, theksuan se avokimi i grave në poste drejtuese nuk duhet të jetë vetëm fjalë, por duhet të prodhojë rezultate konkrete.

Të pranishmit në takim i përshëndeti ministrja kroate e Kulturës dhe Medias, Nina Obuljen Korzinek, e cila tha se mbledhja e grave që punojnë në sektorin e medias është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Drejtoresha e Hina-s Branka-Gabriela Vojvodiq propozoi një deklaratë për fuqizimin e grave në EANA, duke theksuar përkushtimin ndaj avokimit të grave në pozitat drejtuese të agjencive të lajmeve dhe vetë EANA-s.

Deklarata bën thirrje për një përqindje më të madhe të grave në udhëheqjen e EANA, shkëmbime të rregullta të përvojës dhe bashkëpunim në mënyrë që të promovohet barazia dhe të zbatohen Parimet e Fuqizimit të Grave të Kombeve të Bashkuara në organizatat mediatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat