Skandali “Katargate”, lirohet nga burgu ish-zv.presidentja e PE e akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash

Evropë

Skandali “Katargate”, lirohet nga burgu ish-zv.presidentja e PE e akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash

Më: 13 prill 2023 Në ora: 18:25
Eva Kaili

Gjykata belge vendosi ditën e djeshme të lirojë ish-zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, e dyshuara e fundit e cila është ende në paraburgim, ndërkohë që hetimet për korrupsionin e njohur si “Katargate” janë në vazhdim, dhe të urdhërojë arrestin shtëpiak, ku ajo do të jetë nën mbikëqyrje elektronike.

“Eva Kaili po lirohet nga burgu dhe është vendosur në arrest shtëpiak në Belgjikë, ku do të jetë nën mbikëqyrje elektronike”, u shpreh për AFP Antoon Schotsaert, një gjyqtar në Prokurorinë Federale të Belgjikës. Vendimi është marrë nga gjyqtari hetues Michel Claise. 

Deputetja socialiste greke "ndoshta do të lirohet e shumta premten ose të hënën", tha avokati i saj Sven Mary për AFP, sepse byzylyku kërkon "përgatitje administrative". Vendimi për lirimin e saj nga paraburgimi ishte "plotësisht i pritshëm", u shpreh Sven Mary.

Gjykata belge vendosi së fundmi që eurodeputeti belg Marc Tarabella dhe ish-deputeti italian Antonio Panzeri, dy të dyshuarit e tjerë kryesorë në skandalin “Katargate” që tronditi Parlamentin Europian, do të mbajnë byzylykun elektronik. Kaili dyshohet se ka ndërmjetësuar për vende të huaja, përfshirë Katarin, në vendimet e Parlamentit Europian ndër vite, për të cilat ka marrë para. Kaili, e cila është 44 vjeçe dhe nënë e një vajze dyvjeçare, u shkarkua nga posti i nënkryetares së Parlamentit Evropian në mesin e dhjetorit.

"Për katër muaj e gjysmë ajo pretendon se nuk është fajtore. Hetimi nuk ka përfunduar ende", tha Sven Mary, i cili vë në dukje se ai dhe klienti i tij janë të gatshëm t'u përgjigjen "të gjitha pyetjeve" të hetuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat