BE reagon për hapjen e fabrikës së “Vodkës së Përgjakshme” në Nikshiq, që e përuroi Abazoviq

Evropë

BE reagon për hapjen e fabrikës së “Vodkës së Përgjakshme” në Nikshiq, që e përuroi Abazoviq

Më: 15 prill 2023 Në ora: 10:42
Dritan Abazoviq

Në një kohë kur sanksionet ndaj Federatës Ruse pas pushtimit brutal të Ukrainës janë vija përbashkuese e botës perëndimore, në Mal të Zi, përkatësisht në Nikshiq, u hap një fabrikë ruse e vodkës e cila është e ndaluar në Bashkimin Evropian. Mediat evropiane e pagëzuan me emrin “Vodkë e Përgjakshme”. Këtë fabrikë e uroi vetë kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviq. Bashkimi Evropian nuk ka qëndruar i heshtur ndaj këtij zhvillimi. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, bëri te ditur se “po vëzhgojmë për së afërmi çfarëdo zhvillimi që mund të perceptohet si shmangie e sanksioneve të drejtuara kah Rusia”.

Është përgjegjësi e të gjitha vendeve që kanë bashkërenduar politikat e tyre me BE-në (Mali i Zi është shtet kandidat për anëtarësim në BE, dhe është më së afërti për t’iu bashkuar unionin) që të zbatojnë sanksionet ndaj Federatës Ruse, shtjelloi zëdhënësja. “Parandalimi i bishtnimit të të masave restriktuese të BE-së të miratuara si kundërpërgjigje ndaj luftës agresive ruse në Ukrainë është e rëndësisë tejet të madhe”, u shpreh ajo.

Për çfarë fabrike është fjala?

Një fabrikë ruse e vodkës u hap ditë më parë në Nikshiq të Malit të Zi për çka gazeta evropiane EU Observer shkroi për ngjarjen në një artikulluar të titulluar “Vodkë e përgjakshme? Kompania ruse hap distileri në pragun e BE-së”.

Në tekst thuhet se fabrika në Mal të Zi ka filluar të prodhojë vodkë ruse për eksport në BE derisa edhe rikujtojnë deklaratën e kryeministrit në mandatin e tij teknik Dritan Abazoviq i cili tha se do të jenë "krenarë kur Beluga vodka të shfaqet në vitrinat e dyqaneve në mbarë botën", duke shtuar se tregu i tyre është Franca, Italia, ShBA.

Vodka Beluga, siç raporton EU Observer, nuk shitet më në BE, pas ndalimit të importit të alkoolit rus në prillin e vitit të kaluar. BE-ja e mori atë vendim si reagim ndaj masakrës së përgjakshme ruse në qytetin e Buçës, duke vënë, siç shtojnë ata, tashmë një pikëpyetje krenarinë e Abazoviqit me markën ruse. Ndalimi i importit të vodkës është aq i rreptë sa tarifat doganore kombëtare i pengojnë vizitorët e BE-së të sjellin qoftë edhe një shishe të vetme nga Rusia për konsumin e tyre.

Komisioni Evropian gjithashtu e konsideroi të paligjshme kur presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi mikut të tij italian Silvio Berlusconi 20 shishe vodka për ditëlindjen e tij vitin e kaluar. Por, nëse Putini “trollon” sanksionet e BE-së, shkruan EU Observer, Beluga e Malt të Zi rrezikon ta ngrejë nivelin e “talljes” në një nivel më të lartë.

Ata shtojnë se është planifikuar që fabrika në Nikshiq të ketë një prodhim prej 500 milionë eurosh për shitje eksporti, ndërsa do të punësojë 200 persona dhe kjo shifër duhet të dyfishohet deri në vitin 2025. Lidhjet me Rusinë, thekson EU Observer, nuk fshihen.

Ata sqarojnë se investimi në Mal të Zi është bërë pesë muaj pas sanksioneve për Buçën, në një përpjekje të qartë për të anashkaluar embargon.

Në hapjen të mërkurën mori pjesë personalisht biznesmeni rus Alexander Mechetin, i cili ishte drejtor ekzekutiv i Beluga Group deri në dhjetor dhe i cili ende zotëron 39 për qind të aksioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat